Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka mbërritur në Slloveni për të marrë pjesë në takimin e 10-të të udhëheqësve të procesit të Brdo-Brijunit. Nga video e publikuar, shihet se president Meta është pritur në takim nga presidenti slloven, Pahor, si dhe ai kroat, Milanoviç.
Presidenti Meta thotë se ka gjetur një organizim dhe mikpritje të ngrohtë në Slloveni. Nga ana tjetër, kreu i Presidencës thotë se ky takim i organizuar, dëshmon se bashkëpunimit rajonal po i jepet një mbështetje e fortë për paqen dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Statusi nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta: “Kënaqësi të marr pjesë sot në takimin e 10-të të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, që organizohet në Brdo, Slloveni. Faleminderit presidentit Pahor dhe presidentit Milanoviç për organizimin dhe mikpritjen e ngrohtë.
Ky takim i rëndësishëm sot i Udhëheqësve të Procesit të Brdo-Brijunit dëshmon se i japim një mbështetje më të fortë dhe më shumë solidaritet bashkëpunimit rajonal për të konsoliduar paqen dhe përshpejtuar integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, shkroi Meta.
Presidenti i Shqipërisë nuk ka marrë pjesë as sot në Komisionin Hetimor ndaj tij, ndërsa pak ditë më parë, konfirmoi se axhenda e tij është shumë e ngarkuar dhe vetëm me datë 18 maj, pra nesër, do të jetë gati të marrë pjesë.