Mesa duket gjendja ka arritur aty nuk mund të thuhet më, pasi edhe në vitin 2019, në vendin tonë ka zona të cilat nuk kanë as ujë të pijshëm.
Pikërisht për këtë arsye, dhjetëra banorë të Gjoricës në Bashkinë e Bulqizës kanë dalë për të protestuar dhe për të kërkuar që të gjenden mjetet e duhura që zona mos të ketë më problem ujin.
Banorët kanë bllokuar rrugën nacionale Bulqizë- Peshkoni dhe kjo sepse sipas tyre i ka shkuar thika në palcë, pasi prej vitesh e vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Sipas tyre ujësjellësi ka nisur të ndërtohet që para katër vitesh, por edhe sot që flasim nuk ka përfunduar ende dhe gjithë banorët e zonës janë duke pirë ujë pusi, i cili ka rezultuar tepër i ndotur dhe i ndaluar për t’u konsumuar. Të irrituar dhe të vendosur, banorët kanë thënë se s’kanë për të lejuar askënd nga partitë që të bëjnë fushatë në fshatin e tyre, në rast se më parë nuk rregullojnë ujësjellësin.
Banorët e Gjoricës kanë menduar të njëjtën zgjidhje ashtu si banorët e Astirit. Ata do të bllokojnë përditë nga një orë rrugën nacionale, deri në momentin që t’i jepet zgjidhje problemit të tyre.