Është zbardhur dëshmia e Marjus Demës, i çili në mbrëmjen e 10 majit, vrau shokun e tij Mehmet Qema me armë zjarri. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pasi kishte pirë pak, Dema po bënet shaka me Xhuljano Koççin dhe Mehmet Qemën me një armë që e kishte gjetur. Ai ka thënë se armën e ka shkrepur pa dashje dhe kishte qëlluar aksidentalisht Qemën.
“Mbrëmjen e 10 majit rreth orës 22:30 po qëndroja jashtë lokalit tek rruga “5 maji’, bashkë me disa shokë të mi, Erlin Pekën, Mehmet Qemën, Frenkli Myftarin, Blerim Hotin, Xhuliano Koçi. Xhuliano ishte pak i spostuar nga tavolina ku por qëndronim. Pasi kisha pirë pak me shokët gjatë kohës që po luaja dhe po bëja shaka me Xhulianon dhe me Met Qemën, me një armë pistoletë që e kisha gjetur, pa dashje kam shkrepur armën dhe e kam qëlluar aksidentalisht Metin”, ka thënë Dema.
Më tej ai ka folur edhe për raportet që kishte me Mehmet Qemën, duke thënë se e ka pasur si vëlla dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë konflikt. Ai është shprehur i penduar, ndërsa ka thënë se nuk e dinte që arma kishte fishekë.
“Metin e kam pasur si vëlla dhe shumë shok të ngushtë dhe nuk kam pasur me të asnjëherë në asnjë rast konflikt dhe për këtë që ka ndodhur jam shumë i penduar. Shkrepja e armës ka ndodhur në mënyrë të pavullnetshme dhe nuk e dija se arma me të çilën po qëlloja kishte fishekë në të”, ka treguar Dema.
Ai ka thënë se është ende i rënduar nga ana psikike, ndërsa si pasojë e tronditjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën e ka hedhur në afërsi të një servisi aty pranë.
“Për momentin isha komplet i tronditur dhe u largova nga vendi i ngjarjes dhe armën e hodha në afërsi të një servisi që ndodhej aty pranë, pastaj vetëm kam qarë gjatë gjithë kohës. Metin e kisha shumë shok dhe shumë mik”, ka thënë 28-vjeçari.