Protestat e opozitës nuk do të ndalen dhe këtë e vërteton edhe një herë tjetër kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Në një deklaratë për median ka thënë se tashmë është marrë vendimi që çdo ditë të enjte do të ketë protesta para Parlamentit, të cilin ai e quan “asamble kriminale”.
“Hapi që kemi hedhur të enjten e kaluar nuk është pa kthim vetëm për opozitën por është pa kthim dhe për Edi Ramën”, ka thënë Basha, gjë që rrjedhimisht do të thotë se opozita po përdor gjithë mjetet, por si do të përfundojë nuk dihet.
“Në javën e ardhshme, me 28 shkurt dhe 7 mars organizohet protesta kombëtare para Asamblesë kriminale që ka uzurpuar Kuvendin e Shqipërisë dhe me datën 16 mars do të zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombëtare me qëllim rrëzimin e uzurpuesit të qeverisjes së Shqipërisë Edi Ramës, protesta që do të kenë për qëllim maksimalizimin e pjesëmarrjes qytetare, bashkimit qytetar dhe zemërimit qytetar për reagimin e papërgjegjshëm të klikës kriminale që është kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve. Një gjë është e sigurt, hapi që kemi hedhur të enjten e kaluar nuk është pa kthim vetëm për opozitën por është pa kthim dhe për Edi Ramën”, tha Basha për gazetarët.