Zv/ kryeministri Erion Braçe ka deklaruar se ka një treg të burgut të viteve për armëmbajten pa leje. Me anë të një statusi në rrjetet sociale duke iu referuar lajmeve për arrestimin e personave që kapen me armë në brez apo në makinë, Braçe shprehet se ky treg nis me policë të korruptuar që tradhtojnë ligjin dhe kolegët e deri te prokurorët dhe gjykatësit që janë ende në sistem.
Braçe shprehet se ky treg duhet shkatërruar me ndëshkim gjithëpërfshirës dhe monitorim dhe kallëzim të çdo rasti që kapet me armë pa leje dhe nuk dënohet me 5 vite burg.
“Arma në brez ka dyshime 5 vite në burg. Asnjë ditë më pak. Ligji është shumë i qartë. Kush mban armë pa leje dënohet deri në 7 vite burg. Shoh çdo ditë njoftime të policisë që kapen me armë pa leje. Në makinë, me vete, në publik! Sa janë dënuar nga këta?
Sa janë në burg nga këta? Ka një arsye që armët qarkullojnë lirisht. Pandëshkueshmëria. Nuk ka trim që bën 5 vite burg për armën në brez pa një garanci që nuk mbyllet 5 vite brenda. Ka një treg të viteve të burgut për armëmbajtjen pa leje ta themi siç është.
Nis me policë të korruptuar që tradhëtojnë ligjin dhe kolegët, vijon me prokurorë dhe gjykatës të korruptuar ende në sistem. Ky treg duhet shkatërruar. Me ndëshkim gjithëpërfshirës. Patjetër edhe me monitorim e kallëzim të çdo rasti të armëmbajtjes pa leje që kapet nga policia e nuk dënohet me 5 vite burg”, shkruan Braçe.