Në polici janë vetëdorëzuar edhe tre shokët e Mehmet Qemës, 28 vjeçari që u vra mbrëmjen e djeshme nga shoku i tij në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas orës 23:00 në rrugën 5 Maji në kryeqytet. Mësohet se pak më parë janë vetëdorëzuar në polici edhe 3 prej shokëve që ishin prezent në momentin që ndodhi ngjarja. Ndërkohë që në arriati është ende një prej tyre.
Të shpallur në kërkim nga policia ishin: Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuljano Koçi.
Kujtojmë se pas negociatave të vazhdueshme që pati policia me familjarët dhe avokatët, janë dorëzuar më herët në polici edhe Marius Dema, autori i ngjarjes po ashtu edhe Frenklin Myftari. Dema në polici është shprehur se nuk donte që ta vriste shokun dhe se nuk e dinte që pistoleta ishte e mbushur. Ai ndër të tjera ka thënë se arma ishte pa karikator dhe se e kishte sjell në tavolinë Mehmet Qema. Ndër të tjera ai ka thënë se pas krimit ka qenë i tronditur dhe se nuk e mban mend ku e ka lënë armën. Viktima ishte ulur mbrëmë në tavolinat e jashtme të një lokali, së bashku me 5 djem të tjerë, ku kanë qëndruar në shoqërinë e njëri-tjetrit për disa orë. Por teksa autori, bënte prova duke mbushur armën, ka qëlluar pa dashje në drejtim të shokut të tij, i cili ndërroi jetë në spitalin e Traumës.