Komisioni Hetimor Parlamentar është mbledhur sërish ditën e sotme për shkarkimin e Presidentit Meta. Kreu i komisionit, Alket Hyseni, tha se brenda kësaj jave priten të gjitha informacionet zyrtare nga institucionet.
Ndër të tjera Hyseni ka thënë se është caktuar data 18 maj për seancën dëgjimore me Presidentin Meta, por si sqaroi ai kjo datë është fleksible dhe do të diskutohet në zyrën e Presidentit.
Më tej, pjesë e diskutimeve ishte zgjedhja e ekspertëve për të ndjekur nga afër zhvillimet e komisionit dhe për të dhënë në fund vlerësimet e tyre. Por, ishte anëtari Spartak Braho, i cili tha se ekspertët duhet të jenë njerëz me tituj e të vlerësuar, pasi sipas tij, një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros, ndërsa shtoi se “Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?
Pjesë nga diskutimet në komision:
Hyseni: Më 14 maj mbledhja e radhës. Deri në fund të kësaj jave, do të kenë ardhur të gjitha informacionet e kërkuara nga institucionet dhe do të jemi në gjendje t’i përmbahemi kalendarit. Kemi parashikuar seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës më 18 prill dhe presim përgjigjen e tij. Data mund të jetë fleksible, nëse biem dakord me zyrën e Presidentit. Fleksibiliteti do të jetë i kufizuar, vetëm brenda javës që vjen, pasi afati i këtij komisioni është i shkurtër. Do t’i japim kohë shkrimit të raportit të komisionit, duke gjykuar që të jemi gati më datë 24, për të dhënë gjykimin final. Marrim parasysh se edhe Kuvendit do t’i duhet një afat i caktuar, brenda 20 ditëve, për të marrë në shqyrtim raportin, dhe për të vijuar më tej me procedurat e shkarkimit të presidentit.
Data 14.5.2021 miratimi i planit të përfundimit dhe çështje të tjera. 17.5 administrimi i gjithë informacionit dhe shkresave, raporteve të ndryshme lidhur me objektin e hetimit. Institucionet kanë afat deri në fund të javës të sjellin informacionet. Seancë dëgjimore më 18 me Presidentin e Republikës. Më 20 nxjerrja e raportit përfundimtar. Pra, do të marrim informacionet zyrtare, do të kemi dhe dëgjesën me Presidentin e Republikës, dhe besoj do të kemi mundësi për nxjerrjen e raportit. Do t’i japim 4 ditë kohë shkrimit të raportit.
Hysi: Propozoj të kem edhe ekspertë. Mendoj të diskutojmë për numrin e ekspertëve, të jenë një ose dy.
Hyseni: Janë dy ekspertë.
Braho: Na thoni kush janë këto ekspertë, çfarë janë, kanë tituj? Nga rruga janë?
Bushka: Nuk e çmoj të arsyeshme të kemi më shumë se një ekspertë, por le të japin sugjerime të gjithë anëtarët.
Hysi: Do doja të thoja dy fjalë për ekspertin, Erind Mërkuri. Është pedagog në Universitetin e Tiranës, mban dragën shkencore Doktor, ka një aktivitet të gjerë në fushën e të drejtës kushtetuese, është njohës shumë i mirë i praktikës së Gjykatës Kushtetuese, por edhe i Gjykatës së Strasburgut, por edhe i praktikës së Komisionit të Venecias. Është angazhuar nga Kuvendi hera herës në çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë. Ka një veprimtari shumë të gjerë kërkimore në këtë fushë.
Hyseni: Edhe unë e njoh ekspertin, i njoh punën, besoj që është i denjë për të qenë ekspert i këtij komisioni. Sekretaria të shpërndajë tani CV e ekspertit.
Murrizi: Ka konflikt interesi ky? Vjen, s’vjen? Ta dimë para se ta votojmë.
Hyseni: Nëse do të ketë rrethana të papajtueshmërisë, do të paraqiten. Nuk mund të paragjykojmë persona paraprakisht. Në dijeninë tonë nuk ka, megjithatë do të jetë këtu e deklaruar. Ne jemi të detyruar të respektojmë disa rregulla strikte për këtë rast. Kodi përcakton se eksperti deklaron se ka shkaqe papajtueshmërie, deklaron se pranon detyrën ose jo, dhe pastaj caktohet. Por e rëndësishme është që të jetë i denjë.
Gjina: Jam dakord që të jenë dy ekspertë. Mendimet e dy ekspertëve do të ishin më të kompletuara dhe nuk do të linin vend për komente, se vendimi i njërit mund të ishte i njëanshëm.
Braho: Të nderuar kolegë, procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer President është momenti më i rëndësishëm i këtij komisioni. Të mos nxitohemi. Pjesa dërrmuese e këtyre anëtarëve e dinë ç’do të thotë një ekspertizë e mirë apo e keqe. Një ekspertizë e mirë të hedhë matanë, një ekspertizë e keqe të varros. Ky komision gjykon nëse ka shkelur apo jo Presidenti rëndë Kushtetutën, që do të thotë që ne të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, të shumë akteve të tjera të Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e tërë vendimeve, dhe fjalët e ekspertëve janë përfundimi i punës sonë. Ekspertët duhet të kenë nivel të lartë profesional, sepse po gjykojmë Presidentin. Nuk kam vërejtje për shokët, se nuk i njoh, janë çuna të rinj, unë jam i kohës kur thërrisnim ekspert Luan Maron, por ky tani është plakur. Do të mendoja që si ekspertë përveç emrit që përmendët, që arrin deri te Doktor, ndërkohë që neve na duhen Profesorë këtu me tituj, unë do të them pse të mos jetë edhe Viktor Bumi. Nuk e kam marrë mendimin e tij, por unë do ta propozoja. Duke e njohur nga afër, vlerësimin dhe cilësitë e tij, them se ka një lloj paanshmërie. Them të mos e vendosim sot punën e ekspertëve, të shohim e të lexojmë emrat, të lexojmë biografinë e tyre dhe e votojmë ditën e premte. Na duhet një listë me disa emra.
Hyseni: Më duket interesantë propozimi. I tërheq vëmendjen sekretarisë, sepse iu kam thënë të na sjellin një listë me ekspertë të kësaj fushe. Herën tjetër, para mbledhjes sekretaria të bëjë një listë me emra anëtarëve të komisionit. Të gjithë jeni dakord, kështu që shtyhet caktimi i ekspertëve për seancën tjetër.
Braho: Unë do të gjykoja, bazuar në materialin që kemi, të tëra akuzat ndaj presidentin, pjesa dërrmuese e tyre janë të pasqyruara në materiale filmike, prononcimet e tij dhe të medias së shkruar, do të kërkoja që këto materiale të transkriptohen, nuk shkon. Unë jam marrë me të tilla ekspertime. Po t’i kemi të transkriptuara është edhe më serioze për komisionin. Ne kemi ekspertë shumë të mirë. Nëse këtë logjikë e pranoni, unë mund të ofroj edhe ekspertin apo grup ekspertësh për këtë punë.