Një krim i rëndë në familje ka tronditur mesditën e sotme qytetin e Elbasanit, ku burri vrau me armë zjarri gruan. Mësohet se çifti ishin në proces divorci dhe sapo ka mbaruar seanca shtetasi Koço Buzo 58-vjeç ka rrëmbyer armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të shtetases Liljana Bozo 54 vjeçe e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra rrugës për në spital.
Ndërkohë të plagosur raportohet se kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, të cilët sipas njoftimit të policisë kanë qenë kalimtar të rastit, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë
Policia e Elbasanit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku burri vrau gruan. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15, në afërsi të Gjykatës.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Koço Buzo, 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes së tij, shtetases Liljana Buzo, 54 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.
Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë edhe një kalimtar i rastit, shtetasi G. T., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është paraqitur në spital, i dëmtuar në dorë, edhe shtetasi A. K., i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është larguar për në banesë.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë ka bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, sekuestrimin e armës së zjarrit tip kallashnikov dhe të një arme të ftohtë thikë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes