Ditën e sotme kanë dalë në një konferencë për shtyp grupimi “Për PD-në”, i cili është ngritur për shkarkimin e kreut aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ata në një deklaratë të përbashkët kanë kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Bashës . Grupi ka marrë emrin “Për PD-në”, dhe këtë e ka konfirmuar Edith Harxhi e cila dhe ka lexuar dhe deklaratën e përbashkët.
Deklarata e plotë
Shqipëria u përball me zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit, pas një qeverisje të korruptuar prej 8 vitesh, që e ka çuar vendin në varfëri. Ne jemi të vetëdijshëm që shitblerja e votës, përdorimi i administratës, përdorimi i të dhënave personale, ishin vetëm një pjesë e elementëve që përcaktuan rezultatin zgjedhor, por ne jemi po ashtu të vetëdijshëm që PD nuk arriti që të mundësonte mbështetje më të madhe.
PD ka pasur rezultat të njëjtë me 4 vite më parë, PD nuk po garonte për vend të dytë, pjesëmarrja me 46% në zgjedhje është tregues domethënës që PD nuk frymëzoi, dhe as nuk siguroi mbështetje për fitore.
Ne jemi të vetëdijshëm që përgjegjësia e zgjedhjeve i takon drejtuesve të Partisë. Ata duhet të marrin përgjegjësi për humbjen, pasi kanë shembullin e zotit Berisha. Dorëheqja e parevokueshme e Lulzim Bashës nga partia nuk është fundi i PD-së por fillimi i ringritjes së saj.
Mospjesëmarrja në Reformën territoriale, në zgjedhjet lokale, dalja nga parlamenti, ishin gabime të PD-së. Marrëveshja e 5 Majit, megjithë pasojat e saj, dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme PD-në dhe aleatët, brenda partisë kryetari nuk mbajti përgjegjësi për humbjen e 2017. Në 2019 u përjashtuan nga Kuvendi të gjithë ata që kishin kundërshtuar vendimmarrjen, sërish lista ishte ajo e kryetarit.
Kryetari nuk kishte mësuar asgjë nga humbja e 2017-tës, aktualisht Shqipëria është në duart e atyre që vendosin shumëçka.