Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të shquar Guljelm Radoja. Basha ka thënë se largimi nga jeta i artistit të madh është një humbje për artin dhe kulturën shqiptare. Kryedemokrati u shpreh se Radoja humbi betejën e jetës së tij, por la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe frymëzim për qindra të rinj e qytetarë që duan lirinë e të drejtën. Ai i ka shprehur familjes dhe të afërmve ngushëllimet, ndërsa thotë se Radoja do mbetet gjithmonë mes nesh.
Reagimi i plotë i Bashës:
Me hidhërim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh Guljelm Radoja. Largimi nga jeta i artistit të madh shqiptar është humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare. Guljelm Radoja e humbi betejën e parë të jetës së tij por la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore dhe artistike, ishte një frymëzim për qindra të rinj e qytetarë që donin dhe duan lirinë, të drejtën e dinjitetin. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen e tij, miqtë dhe të afërmit. Guljelm Radoja do të mbetet përjetë mes nesh. U prehtë në paqe!
Aktori Guljelm Radoja u nda nga jeta sot në spitalin “Shefqet Ndroqi” pasi ishte prej dy ditësh në intubim si pasojë e infektimit me Covid-19. Ai është një emër me kontribut në kinematografinë shqiptare me role që kanë mbetur në kujtesë si roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” apo si Lym Kepi në filmin “Nëntori i dytë”.