Ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Selanik më 16 shkurt, ku një 20-vjeçar shqiptar, u arrestua nga policia për akuzën e vrasjes së të atit, ka marrë një rrjedhë tjetër.
I riu, siç raportojnë mediat greke, është shpallur i pafajshëm nga gjykata pasi është zbuluar dinamika e vërtetë e ngjarjes ku mbeti i vdekur babai i tij 48-vjeçar, identiteti i së cilit nuk bëhet i ditur.
Mësohet se i riu, gjatë dëshmisë së tij në polici, ka deklaruar se familja e tij prej vitesh vuante si pasojë e faktit që i ati ishte i alkoolizuar dhe dhunonte vazhdimisht të ëmën.
Ndërsa përsa i përket ngjarjes së 16 shkurtit, djali ka treguar se babai i tij kishte shkuar në kafenenë ku ishte ai dhe kishte nisur të zihej me të.
I riu ka treguar se ishte munduar ta shmangte duke u larguar, por i ati kishte marrë një motor dhe e kishte ndjekur nga pas për t’i zënë më pas rrugën.
Në atë moment, ata janë përplasur fizikisht dhe 20-vjeçari e ka goditur.
“Une e godita 2-3 herë me grushte, por nuk mendoja se do të vdiste. Nuk e godita për ta vrarë.”-është shprehur ai.
Dëshmia e tij është pranuar si e vërtetë nga gjykata, pasi ekspertiza gjithashtu ka arritur në përfundimin se 48-vjeçari shqiptar ka ndërruar jetë si pasojë e problemeve në zemër dhe jo nga goditjet e të birit.