Skip to content
Të Gjitha

E akuzuan për vrasjen e të atit/ 20-vjeçari shqiptar shpallet i pafajshëm: “S’e godita për ta vrarë!”

· 2 min lexim

Ngjarja e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Selanik më 16 shkurt, ku një 20-vjeçar shqiptar, u arrestua nga policia për akuzën e vrasjes së të atit, ka marrë një rrjedhë tjetër.

I riu, siç raportojnë mediat greke, është shpallur i pafajshëm nga gjykata pasi është zbuluar dinamika e vërtetë e ngjarjes ku mbeti i vdekur babai i tij 48-vjeçar, identiteti i së cilit nuk bëhet i ditur.

Mësohet se i riu, gjatë dëshmisë së tij në polici, ka deklaruar se familja e tij prej vitesh vuante si pasojë e faktit që i ati ishte i alkoolizuar dhe dhunonte vazhdimisht të ëmën.

Ndërsa përsa i përket ngjarjes së 16  shkurtit, djali ka treguar se babai i tij kishte shkuar në kafenenë ku ishte ai dhe kishte nisur të zihej me të.

I riu ka treguar se ishte munduar ta shmangte duke u larguar, por i ati kishte marrë një motor dhe e kishte ndjekur nga pas për t’i zënë më pas rrugën.

Në atë moment, ata janë përplasur fizikisht dhe 20-vjeçari e ka goditur.

Une e godita 2-3 herë me grushte, por nuk mendoja se do të vdiste. Nuk e godita për ta vrarë.”-është shprehur ai.

Dëshmia e tij është pranuar si e vërtetë nga gjykata, pasi ekspertiza gjithashtu ka arritur në përfundimin se 48-vjeçari shqiptar ka ndërruar jetë si pasojë e problemeve në zemër dhe jo nga goditjet e të birit.