Partia Demokratike, ka reaguar pas aludimeve për takimin Rama-Basha në Rinas, pas takimeve me komisionerin për Oliver Varhelyi.
Me anë të një reagimi të shpërndarë për mediat, Partia Demokratike deklaron se nuk është zhvilluar asnjë takim dhe se kjo sipas tyre është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e vendit.
“Nuk ka pasur asnjë takim midis Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Kjo është një gënjeshtër tjetër për të mbuluar vjedhjen më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë nga Rama-Doshi-Rakipi dhe bandat e tyre”, deklaron PD.
Gjatë paradites së ditës së sotme qarkulluan zëra se kryeministri i vendit Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mund të jenë takuar ditën e sotme në aeroportin e Rinasit, pas ftesave të shumta që kryeministri bëri ndaj liderit të opozitës për të bashkëpunuar edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit të cilat i fitoi Partia Socialiste, por rezultati i tyre nuk është pranuar nga PD.
Kujtojmë se edhe ditën e djeshme nëpërmjet një mesazhi në “Twitter”, Rama ka theksuar se mandati i tretë nuk do iu ngjajë dy të parëve në raport me humbësit, duke shtuar se “Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. “Gjithashtu kryeministri ka theksuar se ftesa për ta është ende e hapur”.