Partia Socialiste në Qarkun e Beratit, teksa po numërohen edhe dy kutitë e fundit, ka rezultuar fituese e 5 mandateve. Nga krahu tjetër, Partia Demokratike ka marrë në këtë qark, 2. Blendi Klosi, drejtues politik i Qarkut të Beratit dhe i renditur i 5 në listën rendore në fletët e votimit, në një lidhje direkte për studion e lajmeve në “News 24”, tregoi se kjo fitore ishte historike.
“Jam shumë i lumtur që ia dolëm për pesë mandate, jam i lumtur që njerëzit na besuan. Beteja jonë është për të bashkuar të majtën. Padyshim që rezultati vjen dhe nga të afruarit e LSI. E majta e bashkuar është shumë e vështirë të humbasë në Shqipëri. Populli nuk e votoi më ndarjen e të majtës dhe kërkoi që të ishte e bashkuar ndaj të djathtëve. Që nga 2009 mandatin ia merrte LSI, duke e lënë pa mandat.
Të 7 ishin me mua në fushatë dhe ne e bashkuam votën e majtë në Berat dhe fituam fuqishëm. Shpresoj të mos ketë më ndarje të të majtëve shqiptare. Unë po përmend atë që pamë në fushatë dhe arritëm rezultatin. Njerëzit s’kanë nevojë për shumë thirrje. Nuk është më historia e 20 viteve të fundit që LSI është më e majtë se PS. Nuk kam leje të flas për një gjë të tillë, është vendimmarrje që s’më përket mua.
Unë ritheksoj që gara e Beratit dëshmoi që e majta e bashkuar është në mazhorancë në Shqipëri dhe krijon një elektoral të pathyeshëm. Fitorja është e bukur sepse erdhi në kutinë e fundit. Një nga arsyet që u vendosa i 5-i ishte t’i dëshmonim të tjerëve që ishte një garë e vërtetë”, u shpreh Klosi.