Procesi i numërimit të votave ka agravuar në përplasje fizike në shkollën „1 Maj“ në Tiranë. Mësohet se disa komisionerë janë konnfliktuar fizikisht, madje përplasja ka qenë e dhunshme me karrige e me sende rrethanore.
E pranishme ka qenë edhe kandidatja për deputete e PD, Oriola Pampuri, ndërsa bëhet me dije se janë shoqëruar disa persona në polici. Shkak për përplasjen e dhunshme ka qenë ndërpreja e numërimit dhe më pas ka shkuar edhe policia, në pjesën Unaza me Uzinën.
Ndërkohë, kandidatja Oriola Pampuri ka deklaruar pas konfliktit se janë shkelur rregullat në sallë. Pampuri tha se dy persona me badgen e KQZ-së janë paraqitur brenda dhe ata kanë dhunuar e përgjakur vëzhguesin e PD-së së bashku me të afërmin e tij.
“Shkelën rregullat brenda në sallë. Në momentin e rinisjes së numërimit, brenda u paraqiten persona me një listë të cilet e paraqiten te dera e shkollës. Ndërkohë që brenda u paraqiten dy persona me badgen e KQZ. Ata ngacmuan, dhunuan dhe përgjakën vëzhguesin e PD-së së bashku me të afërmin e tij duke krijuar atmosferë dhunë brenda, ndërkohë që pyetëm kush ishin kërta persona, ata nuk i njihnin. Ata janë persona të paautorizuar. Deri në këto momente janë të paidentifikuar. Kallëzimi është bërë nga djali që u dhunua. Më thonë që janë dhunuar dhe djem të tjerë nga PD-ja. Ishin dy persona që i ngacmuan vëzhguesit tanë dhe më pas i dhunuan. Unë kam qenë gjithë kohës brenda, në atë moment pashë që u dhunuan”, tha Pampuri.
Ndërkohë policia ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen dhe ka bërë me dije se janë shoqëruar 8 persona.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:45, tek shkolla “1 Maji”, në VNV nr.30, me kërkesë të KZAZ-së, sherbimet e Policisë, me Vendim nr. 262, të KZAZ-së, kanë ndërhyrë në ambientet e brendshme të KZAZ-së ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave, pasi kishte një konflikt mes vëzhguesve dhe numëruesit të votave.
Sherbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjeherë dhe kanë bërë shoqërimin e 8 personave për veprime të metejshme hetimore.
Aktualisht ka ndaluar procesi i numërimit të votave dhe shërbimet e policisë vijojnë të kryejnë detyrën për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.