Deri tani janë numëruar më shumë se 1 milionë vota në të gjithë Shqipërinë, konkretisht 1 077 757. Nga të dhënat e bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë me dije se Partia Socialiste ka marrë 499016 të votave ose 48.9%. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka marrë 401586 ose 39.28 %. Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur të sigurojë 69993 vota ose 6.85 % e përkthyer në përqindje.
Ka qenë qarku i Dibrës që ka bërë kthesën në vota në favor të Partisë Demokratike. PD kaloi në avantazh me 25729 kundrejt 25585. Kjo përkthehet në një mandate më shumë për Partinë Demokratike që sipas projeksioneve shkojnë 60 dhe nga ana tjetër PS kryeson me 73 mandate të projektuara deri tani.
Nga të dhënat që KQZ ka publikuar shihet se janë numëruar 3559 nga 5199 qendra votimi që janë në total. Numri i votave të pavlefshme ka qenë gjithashtu i lartë me 55955 të tilla.
Një numër të konsiderueshmë votash ka marrë edhe Partia Social Demokrate me 22911 vota ose përkthyer në përqindje 2.21 %.
Gjatë mëngjesit të ditës së sotme kreu i kësaj partie, Tom Doshi dha dorëheqjen e parevokueshme nga mandati i deputetit, por jo nga drejtimi i partisë. Doshi mohoi në mënyrë kategorike nhë koalicion me PD-në, por nuk e mohoi një koalicion të mundshëm me Partinë Socialiste.