Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ditën e sotme masat anti-COVID, për ditën e zgjedhjeve. Ndër masat e marra për ditën e nesërme janë, ndjekja me rigorozitet nga ana e komisionerëve, anëtarëve, vëshguesve dhe votuesve masat anti-Covid. Anëtarët e KZAZ-ve, QV-ve dhe VNV-ve duhet që të deklarojnë nëse kanë probleme shëndetësore, ose shenja infektimi nga Covid. Anëtarët votuesit dhe vëzhguesit duhet që të plotësojnë një formular, ku vetëdeklarojnë se nuk kanë shqetësime, ose shenja të Covid gjatë ditëve të fundit.
MASAT E MARRA:
Të merren masa të menjëhershme për zbatimin e Protokollit “Lidhur me masat anti-covid 19 gjatë procesit zgjedhor dhe ditës së votimeve”, të Institutit të Shëndetit Publik, datë 13.04.2021, i cili i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
Anëtarët e komisioneve të zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ), të qendrave të votimit (QV) dhe të vendeve të numërimit të votave (VNV) dhe operatorët e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ndjekin me rigorozitet zbatimin e protokollit.
Anëtarët e KZAZ-ve, QV-ve e VNV-ve, dhe operatorët e caktuar nga KQZ-ja duhet të deklarojnë se nuk kanë temperaturë ose shqetësime të tjera të lidhura me shenjat e covid-19, duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Formulari i plotësuar dhe i nënshkruar dorëzohet në momentin që anëtari/operatori paraqitet në detyrë.
Vëzhguesit duhet të tregojnë para komisioneve formularin e vetëdeklarimit, referuar pikës 3 të këtij udhëzimi, për të cilin mbahet shënim në librin e protokollit të mbledhjeve, ku evidentohet emri e mbiemri i vëzhguesit dhe përkatësia (subjekti zgjedhor, OJF shqiptare ose e huaj, organizatë ndërkombëtare etj.). Vëzhguesi pasi lexon shënimin e bërë nga administrata zgjedhore përkatëse në librin e protokollit të mbledhjeve, e nënshkruan atë.
Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ngarkohen anëtarët e komisioneve zgjedhore, operatorët e caktuar nga KQZ-ja dhe vëzhguesit për zbatimin e këtij udhëzimi.