Elsa Bita, aktiviste dhe mbështetëse e Partisë Demokratike në Divjakë, raportohet se është rrahur për shkak të denoncimeve kundër Partisë Socialiste. Fillimisht ajo denoncoi se është dhunuar nga vëllai i kryebashkiakut të qytetit, Fredi Kokoneshi, ndërsa në një version të dytë, ajo tha se është dhunuar nga shefi i Policisë në Divjakë, Altin Shehu.
Sipas denoncimit, shefi i policisë i ka thyer krahun të resë, e cila ndodhet në spital. Ajo thotë se u dhunua pasi filmoi edhe administratën duke marrë pjesë në disa takime elektorale.
Kush të qëlloi?
Qytetarja Elsa Bita: Vetë shefi i komisariatit, pse filmon më tha dhe më mori telefonin.
Ta theu telefonin?
Qytetarja Elsa Bita: Donte ta thyente, më pas më ka kapur dhe më ka përplasur. I thoshte të tjerëve merreni dhe shoqërojeni në komisariat, ata nuk po i bindeshin dhe më mori vetëm pastaj. Nuk e di ç’pati.
Si e ka emrin?
Qytetarja Elsa Bita: Altin quhet ka një muaj që ka ardhur në Divjakë. Vajzat e tjera pak më tutje pash që i morën telefonin dhe e mori një grup e futën brenda nuk e di e shanë apo e goditën.
Ku ishit, cfarë po filmonit?
Qytetarja Elsa Bita: Rrugës varrezave po filmonim, përballë lokalit të Dine Aliajt.
Pjesëmarrës kush ishte?
Qytetarja Elsa Bita: Ishte PS-ja te lokali, gjithë administrate domethënë.”, u shpreh Elsa Bita.
Ndërkohë nga ana tjetër ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike në Divjakë, Saimir Korreshi, njëherësh edhe kandidati i PD-së për këtë zonë. Sipas tij, vajza e cila është dhunuar ka dashur të denoncojë se Partia Socialiste ka zhvilluar një takim elektoral në ditën e heshtjes zgjedhore.