Skip to content
Aktualitet

Rrihet brutalisht aktivistja e PD në Divjakë, denoncon për dhunë shefin e komisariatit

· 2 min lexim

Elsa Bita, aktiviste dhe mbështetëse e Partisë Demokratike në Divjakë, raportohet se është rrahur për shkak të denoncimeve kundër Partisë Socialiste. Fillimisht ajo denoncoi se është dhunuar nga vëllai i kryebashkiakut të qytetit, Fredi Kokoneshi, ndërsa në një version të dytë, ajo tha se është dhunuar nga shefi i Policisë në Divjakë, Altin Shehu.

Sipas denoncimit, shefi i policisë i ka thyer krahun të resë, e cila ndodhet në spital. Ajo thotë se u dhunua pasi filmoi edhe administratën  duke marrë pjesë në disa takime elektorale.

Kush të qëlloi?

Qytetarja Elsa Bita: Vetë shefi i komisariatit, pse filmon më tha dhe më mori telefonin.

Ta theu telefonin?

Qytetarja Elsa Bita: Donte ta thyente, më pas më ka kapur dhe më ka përplasur. I thoshte të tjerëve merreni dhe shoqërojeni në komisariat, ata nuk po i bindeshin dhe më mori vetëm pastaj. Nuk e di ç’pati.

Si e ka emrin?

Qytetarja Elsa Bita: Altin quhet ka një muaj që ka ardhur në Divjakë. Vajzat e tjera pak më tutje pash që i morën telefonin dhe e mori një grup e futën brenda nuk e di e shanë apo e goditën.

Ku ishit, cfarë po filmonit?

Qytetarja Elsa Bita: Rrugës varrezave po filmonim, përballë lokalit të Dine Aliajt.

Pjesëmarrës kush ishte?

Qytetarja Elsa Bita: Ishte PS-ja te lokali, gjithë administrate domethënë.”, u shpreh Elsa Bita.

Ndërkohë nga ana tjetër ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike në Divjakë, Saimir Korreshi, njëherësh edhe kandidati i PD-së për këtë zonë. Sipas tij, vajza e cila është dhunuar ka dashur të denoncojë se Partia Socialiste ka zhvilluar një takim elektoral në ditën e heshtjes zgjedhore.