Dhjetëra personazhe të famshëm kanë treguar mbështetjen e tyre për protestën e studentëve të Universiteteve publike.
Ndërsa ditën e djeshme gazetari Blendi Fevziu ishte një prej emrave të njohur të ekranit shqiptar që u shfaq para Ministrisë së Arsimit, ditën e sotme studentëve iu është bashkuar edhe artisti Robert Aliaj bashkë me të bijën.
Ai dha mesazhin e fortë për rininë shqiptare, që të mos të ndalet për të kërkuar të drejtat që i takojnë.
“Jam i lumtur që vajza ime është këtu në një moment glorifikues, ku studentët do të bëjnë trendin e politikës dhe të ardhmes. Ku do të vendosin studentët dhe jo neve, që e shkatërruam dhe nuk i sollëm asnjë prespektivë fëmijëve tanë. Do të vendosni ju, se ne nuk arritëm gjë. Unë po bëhem 60 vjeç me shpresën për t’u bërë ky vend. Mos u ndalni, bëni diçka sot që fëmijët tuaj që të kenë të bëjnë diçka. Unë ju përshëndes”, tha Aliaj.
Ndërsa shoqërohej nga vajza e tij, ajo vendosi që të shprehte dy fjalë duke treguar mbështetjen për studentët në anglisht:
“Jam shumë e lumtur që të jem këtu mes jush, në këtë moment”.
Pavarësisht se ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, njoftoi mesditën e së enjtes për heqjen e tarifës së provimeve të mbartura, studentët nuk tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.
Sot është dita e katër e protestës së studentëve që po përhapet edhe në Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër.
Katër kërkesat e studentëve drejtuar Ministrisë së Arsimit janë:
1.Anulimi i VKM për tarifa shtesë.
2.Përgjysmimi i tarifës së studimit.
3.Përmirësimi i kushteve të konvikteve.
4.Bordi i Administrimit të ketë̈ numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë se Arsimit, duke shtuar një̈ përfaqësues nga studentët në bord.