Kreu i KMSH-së, Ylli Gurra foli ditën e sotme në lidhje me ndikimin e vaksinës tek personat që agjërojnë. I ftuar në emisionin “Breaking”, kreu i KMSH-së u shpreh se vaksina nuk ka aspak veti ushqyese dhe për këtë arsye nuk ka problem nëse e marrin personat që agjërojnë. Gurra po fliste në lidhje me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, dhe pohoi se vaksina nuk ka asnjë ndikim dhe se vaksina nuk është një çështje që e vendos komuniteti, por instancat përkatëse.
“Agjërimi është shkëputja me vetëdije nga të pirët, ushqimi, që i ka të nevojshme organizmi. Vaksina nuk është një çështje që e vendos komuniteti.”, u shpreh Ylli Gurra.
Ai e ka komentuar më tej këtë gjë duke thënë se vaksina nuk e ushqen trupin si serum por bëhet për të krijuar një imunizim ndaj sëmundjes dhe kjo gjë lejohet.
“Qendra të mirëfillta akademike kanë dalë në përfundimin se vaksinimi nuk e cenon agjërimin. Nuk është një injeksion që ushqen trupin si serumi, por bën të mundur për të krijuar një sistem të imunizuar.
Pra nuk ka aspak veti ushqyese. Mund të vaksinohen të gjithë ata që agjërojnë”, tha Gurra, i cili u uroi besimtarëve agjërim të bardhë, të lehtë dhe të pranuar.