Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka marrë në shqyrtim dosjen penale kundër Ardian Çapjas , Florenc Çapjas si dhe katër anëtarë të tjerë. Ardjan dhe Florenc Çapja, akuzohen si pjesëmarrës në vrasjen e kryer në vitin 2012 babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirin.
Aktet hetimore kundër këtij grupi kriminal, i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme. Lajmin për këtë kalim të dosjes e ka konfirmuar edhe drejtuesi i kësaj strukture, prokurori Arben Kraja, i cili u morë në mbrojtje pak ditë më parë. Kështu SPAK do të hetojë këta persona: Ardjan Çapja, Florenc Çapia, bashkëpuntori i drejtësisë Ervis Bardhi, Etien Cani, Olsi Alias, Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli.
Mbi ta rëndojnë disa akuza si: “Vrasje në rrethana cilësuese” kundër dy personave, “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”, “Grup i strukturuar” kriminal dhe Kryerja e veprave penale në formën e “Grupit të Strukturuar kriminal”. Momentalisht për këtë krim të dyfishtë të ndodhur në 15 gusht 2012 në Elbasan, vijon të jetë në kërkim Florenc Çapja, ndërsa personat e tjerë janë arrestuar. Në ditët në vijim pritet ekstradimi nga Greqia i Olsi alias Jorgo Lekut, i cili ka marë pjesë direkt në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit. Më herët SPAK, kërkoi tërheqjen e akteve hetimore, ndërkohë vendimi për transferimin e dosjen erdhi pas arrestimit të Ardjan Çapjas dhe “ushtarit” të tij, Ardi Çekani. Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit, është kryer nga Çapjat për hakmarje pasi Gentiani, ishte një nga tre autorët që ekzekutoi me automatik në dhjetor 2005, Sokol Çapjan.