Aeroporti i Rinasit do të qëndrojë i mbyllur deri ditën e sotme në orën 15:00 të pasdites. Mbyllja do të jetë deri në një njoftim të dytë dhe kjo do të varet nga zhbllokimi ose jo i situatës.
Ka qenë Autoriteti Ndërkombëtar i Fluturimeve, ICAO që e ka dhënë njoftimin në fjalë dhe thekson mbylljen deri në orën 15:00 të pasdites për shkak të mungesës së stafit.
Puna në Aeroportin e Rinasit ka ndaluar që prej ditës së djeshme pasi 60 kontrollorët që punojnë aty u futën në grevë për shkak të puhsimit nga puna të 5 kolegëve të tyre dhe uljes së pagave me 70% tashmë prej një viti. Për ngjarjen pati reagime të ashpra nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kryeministri Rama të cilët i kërcënuan kontrollorët me pushim nga puna dhe me masa ligjore. Kjo e fundit u bë fakt i kryer mbrëmjen e djeshme kur policia filloi shoqërimet e kontrollorëve në orët e vona. Nga avokati i tyre bëri me dije se ishin shoqëruar në polici 24 persona, numër i cili shkoi në 28 më vonë. Ata u lanë të lirë mëngjesin e sotëm pasi u morën në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, ndërsa prokuroria po vazhdon hetimet për “Shpërdorim detyre”.