Peshëngritësi Briken Calja ka arritur suksesin e radhës duke na bërë edhe njëherë krenarë për triumfet e tij. Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes Calja arriti të fitonte dy medalje, një bronz në dygarësh dhe një argjend në shtytje.
Në dygarësh sportisti kuqezi u rendit në vendin e tretë me 336 kg në total. Atleti nuk arriti të futej në treshen më të mirë në stilin e shkëputjes me 152 kg u rendit në vendin e katërt dhe 10 gramë më shumë se rivali në peshë trupore e nxori nga podiumi.
Në provën e parë në shtythe Calja dështoi në provën e parë me 183 kg ndërsa arriti të mbante 184 kg në provën e dytë. Kjo ishte edhe pesha falë së cilës ai fitoi medaljen e argjendit në këtë stil.
“Medalje argjendi në shtytje dhe bronzi në dygarësh në një kampionat super konkurues në Rusi!
Në mes të Moskës, Briken Calja dhe peshëngritja shqiptare doli kokëlartë dhe krenar duke dridhur një Evropë të tërë. Jam shumë i lumtur që u rikthyem në këtë kampionat direkt me medalje dhe arritëm një sukses mëse të merituar.
Për vitin e 5-të rresht vazhdoj të sjell medalje për Shqipërinë pavarësisht ulje ngritjeve.
Vazhdimësia është gjëja kryesore për një sportist dhe për këtë emri im do të mbahet mend gjatë. Ju falenderoj të gjithëve për mbështjetjen! Do të vazhdojmë përpara me punë të palodhur drejt objektivave të radhës. Sukseset më të mëdha do të jenë ato të radhës,” shkruan Calja ne Facebook.