Fushatat e sensibilizimit ditëve të fundit për gjithë ato gra që dhunohen, duket se ka dhënë rezultatet e saj. Eliberta, nëna e dy fëmijëve ka denoncuar dhunën që bashkëshorti i saj ushtronte gjatë kohës që jetonin së bashku.
Me zë dhe figurë, Eliberta i është drejtuar emisionit “Stop” të për bërë një denoncim publik, pasi sipas saj, pas kallëzimit penal të bërë në Prokurori, bashkëshorti i saj ka shtuar kërcënimet dhe frika është e madhe.
Gjatë intervistës ajo ka treguar se ka ndenjur 20 vite e martuar, mirëpo dhuna e vazhdueshme që ushtronte bashkëshorti e ka detyruar që të divorcohet prej tij. Mirëpo makthi nuk mbaroi me kaq. Nëse kur jetonin në një shtëpi ai e dhunonte fizikisht, pas ndarjes, konkretisht në shkurt 2018, ka filluar edhe dhuna psikologjike dhe kërcënimet me jetë, ndërkohë që në dhjetor të po këtij viti i kishte thyer edhe derën duke tentuar të futej brenda.
“Ndihem e kërcënuar për jetën, nuk mund të rri e qetë në shtëpi. Dhunë nga të gjitha anët. S’kam garanci për jetën time”, këto kanë qenë disa nga frazat që ka mundur të thotë ndërkohë që sytë i ishin mbushur me lot.
Apeli që bëhet i drejtohet drejtpërdrejt Prokurorisë, e cila duhet të marrë menjëherë masa, pasi një viktimë tjetër dhune në familje për shkak të neglizhencës institucionale do të ishte e tmerrshme.