Ditën e sotme solli reagime të shumta lajmi se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kishte dërguar Federatës Shqiptare (FSHF), një kërkesë që të gjitha subjektet e saj që janë pajisur me pasaportën diplomatike, duhet ta dorëzojnë atë brenda afatit, që është data 30 qershor i këtij viti. Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka e cila ka thënë se vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron ashtu siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi. Ministrja shkruan se sipas rregullave futbollistët e Kombëtare së vitit 2016 që u kualifikuan në Kampionatin Europian, duhet të dorëzojnë pasaportat, por nuk do e humbasin statusin e fituar në atë vit.
Postimi i Olta Xhaçkës:
Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.
👉 Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë.
Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016.✅