Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti me kërkesë të tyre një përfaqësi të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror (SPKTA), të cilët në mënyrë të vazhduar kanë përcjellë pranë institucioneve shtetërore shqetësimin lidhur me vendimmarrjet e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” sh.a, që sipas tyre ju kanë cenuar të drejtat legjitime si punëmarrës.
Pjesëmarrësit e njohën Presidentin Meta me faktin se prej më shumë se 10 muaj, nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje për shqetësimet e tyre nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit dhe askush prej tyre nuk ka treguar gatishmëri për të diskutuar me Sindikatën lidhur me çështjet e ngritura.
Gjithashtu, ata i bënë më dije presidentit Meta se për të njëjtën problematikë, edhe ATCEUC (Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian), i kanë kërkuar Qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse vlerësimin me seriozitet të kësaj situate, respektimin e të drejtave të kontrollorëve shqiptarë, duke propozuar arritjen e një marrëveshjeje me punonjësit e “Albcontrol” sh.a., për të krijuar një plan zgjidhjeje afatshkurtër dhe afatmesëm mbi këtë çështje.
Presidenti Meta, pasi i dëgjoi me shumë vëmendje shqetësimet e tyre, theksoi se duhen shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe duhen marrë të gjitha masat, në mënyrë që:
–Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;
–Të garantohet funksionimi i përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë i monitorimit dhe kontrollit të trafikut ajror shqiptar;
–Çdo vendim që merret nga organet drejtuese të “Albcontrol” sh.a., për trajtimin apo kufizimin e të drejtave të kontrollorëve ajrorë për shkak të llojit të punës dhe përgjegjësisë së jashtëzakonshme që ata kanë, duhet të peshohet drejtë dhe të respektojë normat ligjore dhe rregulloret ndërkombëtare dhe ato vendase, ku primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare;
–Organet drejtuese dhe qeveria shqiptare, duhet t’i japin zgjidhje kësaj situate në përputhje me rregullat, me gjendjen që ka diktuar kufizimet e të drejtave të kontrollorëve dhe duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, lidhur me trajtimin e kontrollorëve ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga COVID-19;
–Qeveria Shqiptare dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol” sh.a., duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Evropian, i ka dërguar në mënyrë të përsëritur, duke orientuar edhe për zgjidhje konkrete në lidhje me rastin në fjalë;
–Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin që të garantojë që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurt për fluturimet ajrore.