Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Lushnjë, operacioni antikanabis i koduar “Laboratori”.
Policia zbulon brenda një banese, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Sekuestrohen fidanë kanabisi, pajisje të ndryshme elektrike dhe një armë gjahu. Bien në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të marra më parë në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Laboratori”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Laboratori” u arrestuan shtetasit; Fiqiri Dedej, 53 vjeç, banues në Dushk, Kreshnik Ibraliu, 30 vjeç, Klevis Likja, 38 vjeç, të dy këta të fundit banues në Lushnjë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së 53-vjeçarit F. D., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën 170 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike, kapikorta (pajisje me të cilat ishte bërë lidhja e paligjshme e energjisë elektrike).
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit F. D. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë gjahu pa leje. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.