Sot është dita e tretë e vaksinimit masiv në Shqipëri. Si dy ditë më parë, dhjetëra të moshuar janë mbledhur në çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej” dhe presin radhën për tu vaksinuar. Dosja.al ju sjell pamje nga sheshi ku personat mbi 70 vjeç janë paraqitur për të bërë dozën e parë të vaksinës anti-Covid.
Si është procedura?
Fillimisht bëhet regjistrimi i të moshuarve, më pas bëhet kalimi i tyre në vendet e vaksinimit dhe të ato post vaksinimit ku qëndrohet për 30 minuta siguri (nëse ka efekte anësore). Ndërkohë që vaksina ruse Sputnik do të aplikohet në qendrat shëndetësore për të moshuarit mbi 80 vjeç.
Ditën e djeshme, u vaksinuan 20 mijë e 414 persona, ndërsa dy ditë më parë morën dozën e parë të vaksinës kineze 11 mijë e 478 persona mbi moshën 70-vjeç.
Në Shqipëri janë vaksinuar afro 87 mijë qytetarë, ku është finalizuar imunizimi i bluzave të bardha, dhe po vazhdon vaksinimi i të moshuarve, mësuesve dhe pedagogëve. Shqipëria po merr aktualisht sasi të vogla vaksine nga Pfizer, me të cilin marrëveshja është për 500 mijë doza.
Në vendin tonë ka mbërritur edhe ngarkesa nga AstraZeneca, ndërsa pak ditë më parë u morën edhe 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V. Në Shqipëri kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera vaksina kineze nga Turqia, nga ku kryeministri Edi Rama deklaroi se ka siguruar 1.2 milionë doza. Pas një telefonate me Ursula Von Der Leyen, kryeministri Rama tha se shumë shpejt pritet që në rajon të vijnë 651 mijë doza të Pfizer, por ende nuk dihet sa prej tyre merr Shqipëria.