Janë bërë publike pamjet nga momentet e fundit para se të shpërthenin flakët në magazinën e “Casa Italia”. Gjatë mbrëmjes së sotme në emisionin Opinion është publikuar edhe videoja ku duket Arjan Sala duke vrapuar pasi merr njoftimin për rënien e zjarrit.
Erzen Breçani, ish-polic dhe drejtues i kompanisë së sigurisë që merrej me ruajtjen e objektit, ka qenë i pranishëm në emision dhe ka shpjeguar rrjedhën e ngjarjes. Ai ka thënë se ende nuk dihet shkaku i zjarrit, por dyshimet e deritanishme janë për një shkëndijë elektrike. Breçani ka thënë se në momentin që Sala është njoftuar për zjarrin ai ka shkuar për të evakuuar punonjësit e më pas ka tentuar të fikë zjarrin. Ai u fut së bashku me punëtorët e tjerë të sigurisë dhe nxorrën jashtë punëtorët e tjerë dhe pas kësaj 33-vjeçari mori një bombol dhe tentoi të fikte zjarrin, por flakët u përhapën me shpejtësi duke bërë që ai të mos dilte dot më.
Arjan Sala humbi jetën në magazinën që mori flakë te “Casa Italia”, ndërsa trupi i tij u gjet tre ditë pas rënies së zjarrit. Ekspertiza paraprake tregoi se i riu është përpjekur të dalë nga një derë e emergjencës, por nuk ia doli duke humbur jetën nga asfiksia. Ditën e sotme atij iu dha edhe titulli “Dëshmor i Atdheut” për aktin e tij heroik.