Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj, ka bërë me dije se në platformën e-Albania, tashmë mund të bëhet kërkesë “online” për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Karçanaj shpjegon procedurën e thjeshtë “online”, që zgjat vetëm pak sekonda, e krijuar për të lehtësuar qytetarët.
Ndër të tjera, drejtoresha e AKSHI-t sqaron qytetarët se menjëherë pas kryerjes së aplikimit në e-Albania, do të njoftohen me mesazh ose përmes mjekut të familjes për datën e vaksinimit.
Njoftimi i Linda Karçanaj
“Erdhi momenti që aq shumë kemi pritur dhe për të cilin kemi punuar fort. Me nisjen e vaksinimit masiv, tashmë qytetarët bëjnë kërkesë në platformën e-Albania për t’u vaksinuar ndaj Covid 19.
Me një ndalesë online, në pak sekonda kryhet e gjithë procedura. Qytetarët do të njoftohen përmes një SMS-je në celular ose do të kontakohen nga mjeku i familjes për datën e vaksinimit.
E-Albania është krijuar për të lehtësuar jetët e gjithkujt dhe ky shërbim, në këtë moment, është lehtësia më e madhe për këdo”, shkruan Karçanaj. Ndërkohë një ditë më parë në vendin tonë ka nisur vaksinimi me vaksinën kineze ”Sinovac”, për grupmoshën 70 vjeç”.
Ditën e djeshme, nisi dhe vaksinimi masiv në sheshin “Skënderbej”, u vaksinuan rreth 12 mijë persona të moshës 70-vjeç e lart.
https://www.facebook.com/104221887906340/videos/515287389470507