Është mbyllur me rezultatin 0-2 ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Shqipëria doli pa pikë nga kjo sfidë rreth së cilës flet trajneri Edi Reja duke thënë edhe fjalë të mira për anglezët që na mundën në fushën tonë.
“E bazuam ndeshjen te markimi e lojës së tyre, u tërhoqëm në mbrojtje. Ata nuk goditën asnjëherë në portën tonë në pjesën e parë. Shënuan pas një situate që krijuam ne. U treguam të rrezikshëm me Uzunin, duhet t’i bënim 5-6 herë ato dalje, por e vështirë, Anglia nuk të lejon, sepse është e fortë fizikisht.
Në planin mbrojtës bëmë një ndeshje të mirë. Diçka më mirë pjesa ofensive në pjesën e parë. Përgjithësisht, ne e bëmë lojën tonë në fazën mbrojtëse. Anglia është një ekip që është i përqendruar gjatë gjithë kohës, ata nuk bënë asnjë gabim sot.
Uzuni? Mëkat, na erdhi keq për atë rast. Mund t’i nervozonim nëse do të kalonim në avantazh. Do të ishte një gjë e bukur, do ishte një kënaqësi e madhe dhe do të ishim më të qetë në vijim. Keni koncepte të çuditshme në futboll. Nëse do të kishim fituar apo barazuar ndeshjen, do ishte gjetur përsëri ndonjë aspekt kritik.
Duhet vlerësuar forca e kundërshtarit. Nuk është se nuk donim të qarkullonim topin, por përballë Anglisë është e vështirë. Janë të fortë, kanë teknikë, kanë lojtarë të shpejtë, arrijnë t’i mbyllin hapësirat dhe të marrin shpirtin kur përplasesh me to.
Nuk na lanë mundësi në pjesën ofensive. Nuk jemi aq të fortë fizikisht sa Anglia. Ne luajtëm sipas planit tonë. Ndryshe do të ishin gjërat nëse nuk do të pësonim gol në pjesën e parë. Në vija të përgjithshme bëmë një ndeshje të mirë“, përfundoi trajneri i kombëtares.