Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, në kuadër të ardhjes së vaksinave në rajon.
Në një status në rrjetet sociale, Kurti shkruan se Von Der Leyen i ka konfirmuar angazhimin e Bashkimit Europian për shpërndarjen e vaksinave.
Kurti shton më tej se deri më tani Kosova nuk ka marrë asnjë ngarkesë me vaksina, por që do të punojë natë e ditë për t’i siguruar ato.
“Kam marrë një telefonatë ngë Ursula Von Der Leyen, presidentja e Komisionit Europian. Më konfirmoi angazhimin e BE-së për shpërndarjen e vaksinave për qytetarët e Kosovës. Kosova nuk ka marrë asnjë deri më tani, kështu që ne po punojmë ditë e natë për t’i siguruar ato,”- shkruan Kurti.
Gjithashtu Presidentja e Komisionit Europian komunikoi edhe me kryeministrin Edi Rama.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i tij në rrjetet sociale, tekaa ndau lajmin e mirë për ardhjen e disa qindra mijë dozave në rajon.
Në një status në profilin e tij në Facebook, Rama shkruan se shumë shpejt në rajonin e Ballkanit do të vijnë edhe 651 mijë vaksina anti-covid të Pfizer nga Bashkimi Europian.
“Një LAJM I MIRË në telefonatën me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen: Së shpejti 651 mijë vaksina Pfizer do të vijnë në rajon nga Bashkimi Europian,”- shkruan Rama, por gjithsesi, nuk dihet se sa doza do të marrë Shqipëria nga kjo ngarkesë.
Të njëjtin lajm shpërndau edhe vetë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.