Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar disa foto nga një prej takimeve të tij gjatë ditës së djeshme në Durrës. Bëhet fjalë për vizitën në një shtëpi të re, ku ndodheshin dhe dy fëmijë të vegjël, motër e vëlla.
Kreu i shtetit nuk e kursen ironinë, duke vendosur një epitet ndaj vetes, të përdorur nga kundërshtarët politikë. “Kur vëllai vjen me Spidermanin të mbrojë motrën nga Gogoli”, shkruan Rama bashkëngjitur fotos së publikuar në rrjetin social “Instagram”.
Fushata elektorale në Shqipëri ka nisur me datë 25 mars, 30 ditë para datës së zgjedhjeve të 25 prillit. Duket se beteja politike këtë vit, nuk do të jetë e ashpër vetëm në mitingje e në takime, por dhe në rrjetet sociale, që duket se po marrin një vëmendje të madhe nga krerët e partive politike në vend.
Përveç kryeministrit Rama, që është shumë aktiv në rrjetet sociale, dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, si dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e kanë shndërruar vëmendjen e tyre më të madhe pikërisht në rrjetet sociale, ku synojnë të marrin një audiencë më të madhe dhe në kushtet e pandemisë, duket se lidhja në rrjetet sociale me ndjekësit e tyre, shihet si mënyra e duhur për të bërë fushatë.