Shqipëria do të vaksinojë sot në Kukës edhe 200 mjekë të Kosovës. Ata do të marrin sot dozën e parë të vaksinës anti-COVID. Këtë lajm, e ka konfirmuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla. Ky i fundit u shpreh se 250 mjekët që u vaksinuan të shtunën e kaluar, janë mirë nga ana shëndetsore, si dhe nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përvecc disa reaksioneve normale.
“Të shtunën për në Kukës do të udhëtojnë edhe 200 mantelbardhë për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Mjekët që u vaksinuan javën e kaluar janë të gjithë mirë. Nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përvec reaksioneve normale”, tha mes të tjerash Syla.
Për shkak se Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë dozat e para të vaksinës, qeveria e Shqipërisë ka ofruar mbështetje. Vaksinimi bëhet në Kukës për shkak se kompanitë që prodhojnë vaksinën nuk lejojnë që ajo të nxirret jashtë vendit të kontraktuar.
Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka filluar një program vaksinimi. Kryeministri Edi Rama ka premtuar se Shqipëria do të marrë përsipër vaksinimin e të gjithë mjekëve kosovarë, që janë rreth 11 mijë në total. Qeveria shqiptare ka arritur të kontraktojë 2.1 milionë vaksina deri më tani, me vaksinimin e plotë të popullatës që shpresohet të mbyllet brenda 14 muajve.