Skip to content
Aktualitet

Fushata elektorale në Shqipëri, Ambasada Amerikane: Do t’i mbështesim zgjedhjet

· 2 min lexim

Ambasada Amerikane në Shqipëri ka përshëndetur nisjen e fushatës elektorale, e cila filloi zyrtarisht ditën e djeshme. Me anë të një postimi në rrjetin social në “Twitter”, shkruhet se SHBA dhe të gjithë ndërkombëtarët e tjerë, do të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të mbështetur procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Sezoni i fushatës zgjedhore në Shqipëri nisi zyrtarisht dje për të ecur drejt zgjedhjeve kombëtare në 25 prill. Shtetet e Bashkuara mirëpresin fillimin zyrtar të fushatës dhe, së bashku me autoritetet vendore ndërkombëtarët, do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur zgjedhjet deri në përfundimin e tyre me sukses”, shkruhej në njoftimin e ambasadës.

Ditën e djeshme, më 25 mars, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike, një në sheshin “Skënderbej” dhe tjetri para Universitetit Politeknik të Tiranës nisën fushatën. Kryeministri Edi Rama kërkoi një mandat të tretë, ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha, premtoi rotacion për ndryshim në të mirë të vendit. Mitingjet e dy partive më të mëdha në vend, kishin një distancë kohore shumë të shkurtër, me PD-në që nisi në orën 17:30 dhe me PS-në që nisi në orën 18:00. Duket se lufta politike mes dy partive kundërshtare, ka nisur që në mitingjet e para dhe parashikohet shumë e ashpër në ditët në vazhdim.