Albin Kurti prezantoi pak më parë emrat e ministrave që do të përbëjnë qeverinë e re të Kosovës. Por me sa duket jo të gjitha partitë janë dakord me listën e propozuar dhe me ndarjen e posteve prandaj disa prej tyre nuk do të votojnë.
Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të votojë pro qeverisë së re të Albin Kurtit.Përfaqësuesi i PDK, Enver Hoxhaj ka thënë se partia e tij nuk do të votojë pro në seancën e sotme.
“Koalicioni me zonjën Osmani është më shumë koalicion për karrike, dhe kjo ka qenë një fjalë që ju më shumë e keni përdorur në të kaluarën për shumë koalicione që janë bërë në vend. Ne do të bëjmë një opozitë, do të jemi zëri i qytetarëve. Por arsyeja e fundit që dua ta ngris është se pse kjo urgjencë e një seance të tillë pas konstituimit të Kuvendit dhe pse sot nuk keni vendosur ta zgjidhni fillimisht presidentin”, ka thënë Hoxha.
Po ashtu shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se AAK nuk do të pranojë të votojë një qeveri arbitrare e autoritare.
“Nuk kemi asgjë kundër figurës së Kryetarit, dhe as kundër asaj çfarë ai mund të përfaqësoj. Jemi kundër logjikes dominuese. Refuzojmë që në çfarëdo formë, të bëhemi pjesë aktive e një kulture politike arbitrare, dihet se ky shpie në arbitrarizmi. Grupi Parlamentar i AAK duke filluar me refuzimin e sotshëm të kësaj logjike, në asnjë rast, në asnjë proces, në asnjë rrethanë, nuk do të lejoj që cilido fitues zgjedhor, cilado shumicë parlamentare, t’i imponohet apo t’i mbivendosët sistemit politik dhe kulturës politike demokratike. Sistemi ynë politik është i ndërtuar t’i rezistoj valëve, euforive dhe triumfalizmave sikurse kjo sot:. Tha Tahiri.
Nga ana tjetër edhe Lista Serbe ka shfaqur pretendimet e saj duke thënë se nuk do të votojë nëse nuk merr dy poste ministrore në qeveri.
“E dini mirë që Lista Serbe ka të drejtë për dy ministri. Lista Serbe nuk do të votojë qeverinë dhe do të ankohemi në Kushtetuese”, ka thënë Igor Simiç përfaqësues i Listës.