Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka reaguar në kuadër të 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
Me anë të një mesazhi të shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, Kim thekson se është privilegj të shërbesh si diplomat kudo në botë, por Shqipëria është e veçantë.
“Nuk ka amerikan që viziton Shqipërinë dhe nuk e përjeton atë. Gjatë vitit tim të parë këtu kam pasur mundësinë të udhëtoj përreth vendit tuaj të bukur dhe të përjetoj mikpritjen e famshme të popullit shqiptar. Faleminderit nga thellësia e zemrës!”, shprehet Kim.
Kujtojmë se lidhur me 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes vendit tonë dhe SHBA-ve, kanë reaguar dhe ish-diplomatë. Donald Lu, i cili njihet si një ndër figurat që punoi fort për Reformën në Drejtësi, në një mesazh të publikuar dje, kujtoi luftën me “peshqit e mëdhenj”, term ky i përdorur dy vite më parë për kapjen e personave të fuqishëm të lidhur me krimin.
Reagimi:
“Është privilegj të shërbesh si diplomat amerikan kudo në botë – por më lejoni të them se Shqipëria është e veçantë. Që nga momenti kur mbërrita, kam ndjerë ngrohtësinë e popullit shqiptar dhe lidhjen e thellë që ekziston midis dy vendeve tona. Nuk ka amerikan që viziton Shqipërinë dhe nuk e përjeton atë. Gjatë vitit tim të parë këtu kam pasur mundësinë të udhëtoj përreth vendit tuaj të bukur dhe të përjetoj mikpritjen e famshme të popullit shqiptar. Faleminderit nga thellësia e zemrës! Dy vendet tona kanë shumë për të festuar së bashku. Dhe qoftë për katastrofa natyrore, COVID, apo kërcënime ndaj demokracisë, ne jemi mbështetur tek njëri-tjetri, kemi punuar së bashku për të kapërcyer sfida të panumërta, krah për krah! Kjo është një marrëdhënie që mishëron atë që do të thotë të jesh partnerë, çfarë do të thotë të jesh aleatë, çfarë do të thotë të jesh miq besnikë. Jam e bindur se vendet tona do të arrijnë gjëra të mëdha gjatë 30 viteve të ardhshme dhe se miqësia midis amerikanëve dhe shqiptarëve vetëm do të thellohet.”