67% e shqiptarëve në moshë pune duan të emigrojnë, OECD: Shqipëria po mbetet pa fuqi punëtore

Shqipëria po përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të fuqisë punëtore, ndërsa emigrimi, plakja e popullsisë dhe mungesa e trajnimeve po krijojnë vështirësi serioze për tregun e punës. Kjo është tabloja që paraqet raporti i OECD-së, “Indeksi i Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026, Profili Ekonomik i Shqipërisë”.
Sipas raportit, popullsia rezidente e Shqipërisë është tkurrur me rreth 430 mijë banorë mes viteve 2011 dhe 2023, ose afro 14%, duke zbritur në rreth 2.4 milionë banorë. OECD e lidh këtë rënie me emigrimin e vazhdueshëm dhe normat e ulëta të lindshmërisë.
Raporti vlerëson se në vitin 2024 mbi 1.2 milionë shqiptarë jetonin jashtë vendit, rreth 230 mijë më shumë se në vitin 2015. Norma e emigrimit ka arritur në 31.1%, duke e renditur Shqipërinë të dytën në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
Situata pritet të rëndohet edhe më tej. Një anketë e vitit 2023 tregon se rreth 67% e popullsisë në moshë pune do ta konsideronte emigrimin nëse do t’i jepej mundësia, ndërsa 13% deklarojnë se kanë gjasa të largohen në vitet e ardhshme.
OECD thekson se largimet po prekin gjithnjë e më shumë punonjësit me kualifikime të larta, duke krijuar mungesë të specialistëve. Rreth 95% e bizneseve të anketuara kërkojnë ndërhyrje më të forta nga qeveria për të mbajtur talentet në vend dhe për të mbuluar boshllëqet në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, vendi po përballet edhe me plakjen e shpejtë të popullsisë. Mosha mediane është rritur nga 35.5 vjeç në vitin 2011 në 44.3 vjeç në vitin 2024. Aktualisht, një në pesë banorë është 65 vjeç ose më i moshuar.
Vetëm nga viti 2024 në 2025, numri i personave mbi 65 vjeç është rritur me më shumë se 21 mijë, ndërsa grupmosha 15 deri në 29 vjeç është pakësuar me mbi 18 mijë persona. Si rezultat, popullsia në moshë pune është tkurrur me 18.3% që nga viti 2011.
Raporti evidenton edhe një tjetër problem të madh, mungesën e rikualifikimit të punonjësve. Vetëm 1.6% e personave 25 deri në 64 vjeç morën pjesë në programe arsimimi ose trajnimi gjatë vitit 2024, nivel që përfaqëson vetëm 12% të mesatares së Bashkimit Europian.
Ndërkohë, kërkesa për punonjës vijon të rritet. Në vitin 2023 u regjistruan mbi 61 mijë vende të lira pune, 54% më shumë se një vit më parë, ku tre të katërtat ishin vende të reja pune.
Megjithatë, papunësia mbeti në 9.4% gjatë vitit 2024, ndërsa papunësia afatgjatë arriti në 6.6%, shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.9%.
Sipas OECD-së, kjo tregon se problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e punëkërkuesve, por edhe me mospërputhjen mes aftësive që kërkojnë punëdhënësit dhe atyre që ofron tregu i punës. Organizata paralajmëron se, pa zgjerimin e programeve të trajnimit dhe rikualifikimit, hendeku do të vazhdojë të thellohet, duke frenuar rritjen ekonomike dhe punësimin në vend.