Nga Besim Ndregjoni
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në podcast-in e tij (se nuk i mjaftojnë mediat që i paguan vetëm për propagandën e tij) deklaroi me lot korkodili se nuk prehen të qetë të vrarët e protestës së 21 janarit dhe kërkoi drejtësi për familjarët e tyre.
Të kërkosh drejtësi për një krim shtetëror që kryhet ndaj atyre shqiptarëve që kanë mendim ndryshe, dhe nuk e duan një qeveri, është më se normale, dhe i jap të gjithë mbështetjen time morale qytetare dhe mbështetjen e gjithë ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, bashkëvuajtësve të mi!
Por të kërkosh drejtësi vetëm për ata që ti i ke militantë të partisë tënde, dhe të heshtësh ndaj atyre që iu mor jeta nga ish-partia që trashëgoni ju si kryeministër, është racizëm politik, që një Kryeministri nuk i lejohet, përkundrazi tregon urrejtje klasore ndaj kundërshtarëve politikë, për të cilën diktatura i vrau dhe u mori jetën mbi 6000 qytetarëve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit.
Si forcë politike, të heshtësh për tri dekada ndaj krimit të hidhur tragjik që i ka ndodhur kombit tënd me humbjet e jetëve njerëzore të bashkombësve tuaj, është e papranueshme në një sistem ku jeta është shenjtë, dhe të bën palë me xhelatët që i kryen këto krime.
Heshtja juaj si Kryeministër përballë gjenocidit shtetëror që u krye nga PPSH ndaj 6000 qytetarëve shqiptarë që kundërshtonin diktaturën, është kambanë alarmi për paqen në mes të shqiptarëve. Këto krime çnjerëzore duhet të trondisin shtetin e ashtuquajtur demokratik dhe duhet të ndërgjegjësojnë jo vetëm kryeministrin, kryetarin e opozitës, por çdo shqiptar që flet shqip.
Kush ishin këta shqiptarë që u pushkatuan në kohë paqeje dhe jo lufte? Ata i kishin dhënë kombit pavarësinë, kishin ndërtuar shtetin e parë shqiptarë, ishin antifashistat e parë shqiptarë ndaj pushtimit fashistë. Ata mbrojtën jetë njerëzore hebreje, përballë makinerisë shfarosëse të nazizmit, duke rrezikuar jetët e familjeve të tyre. Me veprën e tyre humane e vendosën kombin shqiptar në plejadën e nderit botëror! Këta korifej të lirisë dhe mendimit ndryshe u vranë që Shqipëria të ishte pjesë e Europës, që vendi të kishte sistem demokratik, që qytetarët të kishin lirinë dhe pronën e tyre.
Këta martirë zoti Kryeministër sot nuk kanë një varr dhe nuk dihet se ku i kanë kufomat. Jetët e tyre i vrau ideologjia staliniste e diktatorit më famëkeq që ka njohur Europa e pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli Enver Hoxha. Ajo ideologji që Europa e dënoi në vitin 1956, fatkeqësisht vetëm Shqipëria që sundohej nga një parti kriminele staliniste nuk e dënoi.
Dhe forca politike që doli në ’90-ën jo vetëm nuk e dënoi këtë ideologji shfarosëse, përkundrazi pranoi të kishte bashkudhëtare e sistemit pluralist partinë që i kreu këto krime.
Partia që drejtoni ju zoti Kryeministër, ndërroi emrin në vitin 1991 dhe u vetëquajt Parti Socialiste dhe që e drejtoni prej 20 vitesh! Këto familje që provuan plumbat, vuajtjet dhe burgjet politike dhe dolën në liri në ’90-ën falën që Shqipëria të mos kishte gjak, urrejtje, por ata kërkuan nga partia juaj që t’i dënoni këto krime.
Ju si forcë politike ndoqët një rrugë të gabuar aspak ligjore dhe njerëzore dhe që nuk i shërbente pajtimit kombëtar. Nën petkun e demokracisë zgjodhët të mbroni ideologjinë dhe diktaturën në rrugën e pluralizmit. Ju sjellim në vëmendje para tre muajsh, proklamatën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në shërbim të paqes shpalli Javën antikomuniste në nëntor 2025, ku deklarohej: “Në 34 vitet që nga përfundimi i Luftës së ftohtë, bota ka dëshmuar si triumfin e demokracisë, ashtu dhe këmbguljen e tiranisë në forma të reja. Zërat e rinj përsërisin gënjeshtrat e vjetra, duke i veshur ato me gjuhën e “drejtësisë sociale” dhe “socializmit demokratik”, por mesazhi i tyre mbetët i njëtë: “hiqni dorë nga liria juaj, vendosni besimin tuaj tek pushteti i qeverisë dhe shkëmbeni premtimin e mirëqënjes me ngushëllimin e e zbrazët të kontrollit”. Amerika e refuzon këtë doktrinë të ligë.”
A refuzoi Shqipëria këtë doktrinë të ligë, jo. Përkundrazi vazhdoi mbrojtjen e diktaturës duke u fshehur mbas gënjeshtrave të pjesëmarrjes së komunistëve në Luftën e Dytë Botërore!
Shqipëria heshti ndaj krimeve të diktaturës, dy forcat politike PS dhe PD “formalisht” në ’90-ën e shpallnin veten antidiktaturë, por gjatë tri dekadave nuk e dënuan diktaturën me ligj. Dhe zgjodhën heshtjen ndaj krimeve makabre të partisë së diktatorit Enver Hoxha.
Mbas 35 vitesh sot janë ndërtuar institucione “formale” demokratike, por të komanduara nga partia shtet. Sot zgjedhjet janë monopol të partisë dhe jo të popullit. Nga një “shtet demokratik ku menduam në ’90 të ndërtonim”, sot jemi kthyer në një shtet ideologjik partiak.
Vlerat e individëve i përcaktoni ju si Kryeministër dhe jo kontributi i qytetarëve ndaj kombit. N.q.s. nuk i përket partisë tënde dhe jetën ta japësh për kombin nuk mund të quhesh atdhetar, por armik. Edhe diktatura zoti Kryeministër, bënte zgjedhje “formale” me 99% votues, e njëjta gjë po ndodh tani në vendin tonë. Dy parti kanë kapur sistemin demokratik, e kanë kthyer në një sistem partiak, dhe nuk e lënë as të jetojë, as të vdesë.
N.q.s. nuk ke lidhje me diktaturën, kundërshtarit politik nuk i lejohet të votohet, jo më të drejtojë institucione. Sot drejtësia është në kllapi të pushtetit ekzekutiv. Shoqëria civile, media, n.q.s. nuk i shërbejnë pushtetit do të penalizohen. Sindikatat nuk ekzistojnë se nuk ka ekonomi tregu, por ekonomi formale dhe aspak kapital dhe biznese që i shërbejnë zhvillimit të vendit.
Militantët që u vranë me 21 janar janë shqiptarë dhe duhet drejtësia të veprojë! Dhe ata djem që u vranë në Vlorë në ’97-ën nga forcat militante të partisë suaj janë shqiptarë dhe ata duan drejtësi. Por partia juaj z.Kryeministër, ata që vranë Besnik Hidrin dhe Lekë Çokun, që ishin të përndjekur politikë, vrasësit i bëre deputetë!
Sot mbas 35 vitesh, 6000 qytetarë, bashkombësit tuaj janë shqiptarë, nuk kanë një varr për t’i nderuar se këta martirë të lirisë nuk janë militantë politikë të forcës tënde politike! 6000 familje shqiptare nuk kanë një ditë kujtese, siç e kan hebrejtë, për t’i nderuar jetët e tyre. Mbi gjakun e pafajshëm të këtyre korifenjve ju politikanët e pas ’90-ës nuk zgjodhët kujtesën, por harresën. Këta 6000 shqiptarë kërkojnë drejtësi zoti Rama dhe drejtuesi i opozitës Dr. Berisha. Heshtja e pozitës dhe opozitës ndaj krimit të zhdukjes së kufomave të mbi 6000 shqiptarëve ju bën bashkëfajtor para shoqërisë dhe kombit shqiptar!
Të fshehur nën petkun e demokracisë, luftuat për tri dekada të fshinit krimet kundër njerëzimit! Dhe as nuk skuqeni, e as nuk zverdheni si shqiptar, por silleni si sundues barbar, ndaj këtyre familjeve, vetëm se ato kundërshtuan diktaturën.
Familjarë e të zhdukurve s’kërkuan hakmarrje, por vetëm drejtësi! Sjellja e pushtetit ndaj këtyre familjeve, duke iu mohuar të drejtat më elementare të gjetjes së kufomës, është krim që sjell pasoja.
Të mendosh se me anën e pushtetit mund t’i fshish krimet dhe mund të frikësosh shqiptarët të bën bashkëfajtor me xhelatët e djeshëm që i ekzekutuan këto krime ndaj qytetarëve që kërkonin liri. Ku po shkojmë zoti Kryeministër? Pse hesht Dr. Berisha, ndaj krimit komunist?
E vërteta zoti Kryeministër nuk mbulohet me pushtet, as me dhunë, ajo është e hidhur, por na bën qytetarë të lirë të këtij vendi! Si mund ta keni ndërgjegjen të qetë kur mbi 6000 shqiptarë nuk kanë mundësi të ndezin një qiri, apo të bëjnë një lutje për gjyshin, babain, nënën, motrën, vëllain, dajën. A mund të ketë paqe Shqipëria kur 6000 shqiptarë janë të zhdukur?!
Ku lotët e atyre familjeve nuk janë tharë dhe ju si drejtues i këtij vendi nuk nderoni jetët e tyre.
Sot publikisht të bëj thirrje publike, si kryeministër dhe Berishës si kryetar i opozitës, në emër të të zhdukurve të komunizmit të kërkoni falje publike, familjeve të 6000 të zhdukurve të PPSH-së. Mos pengoni ligjin për të dënuar krimet e komunizmit! E kundërta që keni bërë deri tani dhe ju kanë njollosur para kombit për heshtjen tuaj. Gjaku nuk bëhet ujë, thotë një fjalë e urtë shqiptare.
Drejtësi për të gjithë shqiptarët që i vrau politika enveriste për interesa të saj!
Si katër të vrarët e 21 janarit, dhe 6000 të vrarët e të zhdukurit kufomat janë shqiptare, bashkëkombësit tuaj dhe kërkoju falje dhe jepuni drejtësi! Drejtësia ndaj këtyre shqiptarëve na fut në Europë, se këto ishin lajmëtarët e parë të Europës në një kohë kur Shqipëria nuk mund të merrte frymë.
Kemi 35 vite që presim drejtësi për të zhdukurit, është detyra jote si kryeministër dhe e opozitës që drejtohet nga Dr. Berisha t’i dënoni krimet e komunizmit, të kërkoni falje dhe ta dërgoni shoqërinë drejt një pajtimi kombëtar. Kur drejtësia të veprojë e barabartë, Shqipëria do të ketë liri dhe paqe!








