Skip to content
Kryesore

55 ditë protestë zgjuan botën, tani është koha të zgjohet edhe drejtësia: Protesta në SPAK

· 3 min lexim

Prej 55 ditësh, mijëra qytetarë dalin çdo ditë në rrugë për të mbrojtur atë që e konsiderojnë interesin publik dhe pasuritë kombëtare të Shqipërisë. Nuk është më një protestë e zakonshme. Është një nga lëvizjet qytetare më të gjata dhe më të qëndrueshme të viteve të fundit, e cila ka kaluar kufijtë e vendit dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, institucioneve europiane dhe opinionit publik jashtë Shqipërisë.

Sot, e gjithë bota e di se çfarë po ndodh në Shqipëri. E di pse protestojnë qytetarët. E di se kundërshtohet ligji për Zonat e Mbrojtura, projektet në Sazan dhe Vjosë Nartë, mënyra si po trajtohen pasuritë publike dhe mënyra si është përballur protesta nga shteti. Janë parë edhe pamjet e dhunës ndaj protestuesve. Policia si vegël e politikës. Janë dëgjuar zërat e qytetarëve. Shqipëria nuk është më një histori që po zhvillohet në heshtje.

Megjithatë, ndërsa protesta vazhdon dhe vëmendja ndërkombëtare rritet, qeveria vazhdon të ecë përpara me të njëjtat politika. Edhe ligji për Zonat e Mbrojtura vazhdon të mbetet në qendër të veprimeve të saj, ndërsa organizatat mjedisore kanë ngritur alarmin për mungesën e transparencës në draftet e dërguara pranë Komisionit Evropian dhe për faktin se ndryshimet nuk adresojnë shqetësimet kryesore të ngritura prej muajsh nga ekspertët dhe qytetarët.

Kjo nuk mund të konsiderohet normale në një demokraci. Kur një vend proteston për 55 ditë rresht, kur mijëra qytetarë kërkojnë të njëjtën gjë dhe kur sytë e botës janë kthyer nga Shqipëria, pritshmëria minimale është reflektimi. Jo vazhdimi i të njëjtës rrugë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Por pikërisht këtu nis një fazë e re.

Për 55 ditë, qytetarët kanë bërë atë që u takon. Kanë protestuar. Kanë sensibilizuar shoqërinë. Kanë bërë që çështja të diskutohet në Europë dhe më gjerë. Kanë mbajtur gjallë një kauzë që shumëkush mendonte se do të shuhej pas pak ditësh.

Tani pritshmëria nuk mund të mbetet vetëm te politika.

Ajo duhet të shkojë edhe te institucioni i vetëm që ka fuqinë ligjore të verifikojë nëse janë shkelur ligjet, nëse janë cenuar interesat publike dhe nëse ka përgjegjësi penale për vendime që kanë sjellë një reagim kaq të madh qytetar.

Ky institucion është SPAK.

Protesta mbetet zëri i qytetarëve dhe duhet të vazhdojë derisa kërkesat e tyre të dëgjohen. Por pas 55 ditësh është e qartë se beteja nuk mund të mbetet vetëm në rrugë. Ajo duhet të shoqërohet edhe me një kërkesë të fortë publike që drejtësia të ushtrojë deri në fund përgjegjësinë e saj.

SPAK ka treguar se mund të hetojë dhe të godasë figura që deri dje konsideroheshin të paprekshme. Pikërisht për këtë arsye, pritshmëritë e qytetarëve ndaj këtij institucioni janë më të mëdha se kurrë.

Sepse protesta mund të ngrejë zërin. Mund të ndërgjegjësojë një komb. Mund të bëjë që e gjithë bota të flasë për Shqipërinë.

Por vetëm drejtësia mund ta kthejë atë zë në përgjegjësi.

Pas 55 ditësh, ndoshta ka ardhur momenti që revolta qytetare të hyjë edhe në fazën e saj më të rëndësishme: kërkesën këmbëngulëse që drejtësia të bëjë pjesën e saj. Në fund të fundit, qytetarët e kanë bërë detyrën e tyre. Tani është radha e institucioneve të tregojnë nëse do të jenë në lartësinë e këtij momenti historik. Tani të gjithë po presin SPAK.