Kur lënë postin, ish-ministrat bëhen të moralshëm: Ja prova

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ditën e djeshme, mediat në të gjithë vendin do të pushtoheshin nga titujt mbi “përçarjen në PS” pasi deputetët Ditmir Bushati dhe Ilir Beqja, dolën haptazi kundër koncesionit të Porto Romanos.

Ish-ministri i Jashtëm Bushati, duke bërë thirrje për distancimin e Partisë Socialiste nga oligarkët, i kërkoi kolegëve që të rikujtoheshin se ata janë socialistë .

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili mbrëmjen e djeshme në emisionin “Ilva Now” u shpreh se ndryshimet në kontratë janë të dyshimta dhe për këtë arsye ka abstenuar gjatë votimit.

Këto dy qëndrime sigurisht nuk janë mirëpritur nga kolegët e tyre në PS ku Taulant Balla, i kujtoi Bushatit se të njëjtën marrëveshje ai e ka votuar 5-6 vite më parë, në kohën kur ishte ende në krye të Ministrisë së Jashtme dhe se ai vetë ishte më socialist se Bushati.

Por pse gjithë kjo kundërshti?

Së pari, sepse vetë Ditmir Bushati, duke u katapultuar që në fillim të karrierës së tij politike në postin e Ministrit të Jashtëm, nuk përfaqëson aspak figurën e deputetit socialist popullor që shqetësohet për shoqërinë e të ardhmen e fëmijëve të vendit, ashtu sikurse u kujton kolegëve të tij në PS e po ashtu dhe Ilir Beqja.

Dy ish-ministrat në fakt do të mbahen mend më së shumti për aferat korruptive dhe skandalet ku janë përfshirë në kohën kur drejtonin dy institucionet e rëndësishme: Beqja për koncesionet e shumëpërfolura të sterilizmit dhe checkup-it për të cilat ka marrë dhe padi, ndërsa Bushati, mafia e projekteve, për skandalet me pasaportat diplomatike të kriminelëve dhe oligarkëve që sot u del kundra, punësimet e pafundme nepotike etj.

Megjithatë, pas largimit nga ministritë, Bushati dhe Beqja duket se janë kujtuar për popullin dhe idealet e partisë, duke dalë kundër koncesionit të Porto Romanos.

Ish-ministri i Shëndetësisë madje ka deklaruar se ka kërkuar informacion për koncesionin nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, por nuk ka marrë një përgjigje.

Gjasat janë që nuk do ta marrë kurrë një të tillë, ashtu sikurse “gazetareforma.com” nuk ka arritur kurrë të marrë asnjë përgjigje nga institucioni i drejtuar nga Belinda Balluku.

Megjithatë, ky refuzim për të dhënë përgjigje nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk është i ndryshëm nga taktika që vetë Bushati dhe Beqja ndiqnin në kohën që ishin ministra, ndaj duke parë rrugëtimin e tyre, nuk do të ishte aspak çudi që në podiumin ku dje fliste Beqja dhe Bushati, së shpejti të ngjitet dhe Balluku!

Shpërndaje
Share.

Komento