Skip to content
Kryesore

42-vjeçari në Delvinë pëson djegie në trup, transportohet në Tiranë për mjekim

· 1 min lexim

Një tjetër banor i fshatit Kopaçez në Delvinë është transportuar mbrëmjen e djeshme drejt Spitalit të Djegieve në Tiranë, pasi ka pësuar djegie të rënda gjatë përpjekjeve për të shuar flakët që kanë përfshirë zonën.

Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Apostol Zhupa, banor i zonës, i cili ishte angazhuar së bashku me banorë të tjerë për të ndaluar përhapjen e zjarrit. Ai ka marrë djegie në pjesën e gjoksit dhe shpatullave.

Fillimisht është dërguar në spitalin e Sarandës, ku mori ndihmën e parë, por për shkak të gjendjes së rënduar u vendos transportimi i tij me urgjencë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Zhupa është personi i dytë që pëson lëndime serioze nga zjarret që kanë përfshirë fshatin Kopaçez, duke thelluar më tej emergjencën në këtë zonë malore.