Skip to content
Kryesore

42-vjeçari maroken ndërron jetë gjatë arrestimit, shpërthejnë protesta të dhunshme në Bolonja, plagosen 64 policë

· 3 min lexim

Një ngjarje që ka tronditur Italinë ka ndezur protesta të mëdha në Bolonja, pasi 42-vjeçari me origjinë marokene, Abderrahim Fakir, humbi jetën gjatë arrestimit nga policia. Pas incidentit, mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi, ndërsa demonstrata u përshkallëzua në përplasje të dhunshme me forcat e rendit, ku mbetën të plagosur 64 efektivë policie.

Prokuroria e Bolonjës ka hapur një hetim për vrasje të paqëllimshme ndaj oficerëve të policisë dhe personelit mjekësor që ndodhej në vendin e ngjarjes, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës apo ndërhyrja mjekësore kanë ndikuar në vdekjen e 42-vjeçarit.

Ngjarja ndodhi të dielën në lagjen Pilastro të Bolonjës, pasi policia u njoftua nga një banor se Fakiri po sillej në mënyrë të çrregullt dhe po godiste dyert e garazheve. Sipas policisë, efektivët fillimisht u përpoqën ta qetësonin, por më pas përdorën sprej me piper për ta neutralizuar.

Një video e publikuar nga mediat italiane tregon dy policë të ulur mbi Fakirin, i cili ndodhet me fytyrë përtokë dhe u kërkon vazhdimisht të ndalojnë. Në pamje shihet edhe një civil që i mban këmbët, ndërsa pranë ndodhet personeli i ambulancës. Pas rreth dy minutash, 42-vjeçari ndalon së rezistuari dhe humbet ndjenjat. Oficerët i vendosin prangat në duar dhe këmbë, ndërsa më pas konstatojnë se ai nuk reagon.

Disa dëshmitarë okularë deklaruan për mediat italiane se Fakiri ndodhej në gjendje të rënduar, por nuk përbënte kërcënim për askënd dhe ishte i paarmatosur.

“Nuk mund të vdesësh në këtë mënyrë. Ata e vranë pa mëshirë dhe unë dua të vërtetën“, deklaroi motra e tij, Khadija Fakir.

Mijëra persona protestuan të hënën në mbrëmje në qendër të Bolonjës me thirrjen “drejtësi për Abderrahim Fakir”. Demonstrata nisi në mënyrë paqësore, por më vonë një grup prej rreth 100 protestuesish u përlesh me policinë dhe i vuri flakën dy automjeteve. Sipas autoriteteve, gjatë trazirave u plagosën 64 efektivë policie.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se është e domosdoshme të zbardhet e vërteta për rrethanat e vdekjes së Fakirit, por theksoi se “asgjë nuk mund të justifikojë dhunën ndaj forcave të rendit”.

Edhe kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, e cilësoi videon e ngjarjes si tronditëse dhe organizoi një manifestim në mbështetje të familjes së viktimës. Në protestë foli edhe mbesa e Fakirit, Yossra, e cila tha se xhaxhai i saj “meritonte ndihmë, të dëgjohej dhe të trajtohej me dinjitet”.

Pas përplasjeve, Lepore theksoi se shumica e protestuesve u mblodhën në mënyrë paqësore për të shprehur solidaritet me familjen, ndërsa incidentet u shkaktuan nga një grup i vogël që zgjodhi dhunën.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i sindikatës së policisë italiane, Domenico Pianese, mbrojti veprimet e efektivëve, duke deklaruar se, bazuar në pamjet e publikuara, ndërhyrja ishte kryer sipas procedurave. Ai kritikoi gjithashtu organizimin e protestës menjëherë pas ngjarjes, duke argumentuar se ajo krijoi terren për grupe radikale që të përplaseshin me policinë.

Hetimet për vdekjen e Abderrahim Fakir vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të analizojnë edhe pamjet e kamerave trupore të policëve për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.