3-vjeçari humbi jetën pas ndërhyrjes dentare, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 7 persona

Sot, më 6 shkurt 2026, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtatë persona në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në një klinikë private në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, mjeku Ronald Xhaxho dhe shtetasja Marta Gina janë dërguar në gjyq për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, të kryera në bashkëpunim. Ndërsa Ina Xhaxho akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”.
Po ashtu, shtetasit E.S. dhe E.A. janë dërguar në gjyq për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa D.A. dhe V.H. për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”. Pas përfundimit të ndërhyrjes, fëmija u kthye në banesë, por brenda pak orësh gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Ai u dërgua në Spitalin e Pediatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, në gjendje kome dhe me insuficencë respiratore akute, ku më 1 tetor 2023 ndërroi jetë.
Sipas aktit të riekspertimit dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku kryesor i vdekjes së të miturit ka qenë shoku septik i rëndë, i cili çoi në insuficencë progresive shumëorganore. Ekspertët kanë konstatuar se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë janë shkelur rëndë protokollet mjekësore ndërkombëtare dhe praktikat më të mira mjekësore, shkelje që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore me vdekjen e fëmijës.
Hetimet kanë evidentuar mungesë kontrollesh dhe verifikimesh të nevojshme për vlerësimin e gjendjes klinike të pacientit para ndërhyrjes, mungesë diagnoze të saktë, trajtim të papërshtatshëm profilaktik dhe kryerjen e një procedure kirurgjikale më të gjerë se sa lejohet për një fëmijë 3-vjeçar. Gjithashtu, është konstatuar se fëmija iu nënshtrua anestezisë së përgjithshme për rreth pesë orë, për trajtimin e njëkohshëm të shumë dhëmbëve, disa prej të cilëve me infeksion të pulpës.
Prokuroria thekson se nxjerrja e të miturit nga klinika pas ndërhyrjes është bërë në mënyrë të papërshtatshme, pa u marrë parasysh rreziqet e anestezisë dhe shenjat klinike që shfaqte fëmija pas zgjimit të zgjatur.
Nga hetimi rezultoi gjithashtu se stomatologët I.Xh. dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit, duke marrë pagesë për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia u konstatua se gjashtë prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Po ashtu, është provuar se pas ngjarjes, stomatologia I.Xh. ka vijuar ushtrimin e aktivitetit pa rinovuar licencën përkatëse pranë Urdhrit të Stomatologut.
Gjatë hetimeve janë konstatuar shkelje edhe nga ana e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe nga mjekët e shërbimit të pediatrisë në momentin që fëmija u dërgua në spital, të cilët nuk kanë zbatuar plotësisht protokollet për përcaktimin e diagnozës dhe trajtimin e duhur. Megjithatë, sipas aktit të riekspertimit, vdekja e të miturit nuk ka ardhur si pasojë e mosveprimeve të tyre, por nga veprimet dhe mosveprimet e mjekëve që kryen ndërhyrjen dentare.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik dhe pas një kohëzgjatje të tepruar hetimesh, çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata, ku pritet të përcaktohet përgjegjësia penale e të pandehurve për vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu.
Lexo më tej
Në kulmin e protestave, Kastrati e Salillari kërkojnë rritjen nga 5 në 8 euro të tarifës së Rrugës së Kombit/ Interesat e oligarkëve nuk ndalen as në ditët më të vështira për qytetarët
Në kulmin e protestave kundër korrupsionit dhe zhvatjes së qytetarëve, Kastrati dhe Salillari kërkojnë rritjen e tarifës së…
Pesë muaj dhunë, akuza dhe kërcënime: Përgjigje për përrallat e Edi Ramës
Nga Gazeta Reforma Pesë muaj iu deshën Edi Ramës të kujtohej se qytetarët mund të dëgjohen. Pesë muaj…
Rama e publikoi si person me precedent penal për drogë, studenti i Mjekësisë e përgënjeshtron/ Gazeta Reforma u drejtohet 4 institucioneve për hetimin e rastit
Gazeta Reforma ka ndërmarrë hapa zyrtarë për të kërkuar zbardhjen e rastit të studentit 20-vjeçar të Mjekësisë, të…
Vetëm 9 ditë në detyrë, drejtoresha e Burgjeve jep dorëheqjen me urdhër të Ramës
Vetëm nëntë ditë pas emërimit në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo ka dorëzuar dorëheqjen,…