Skip to content
Bota

27-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident në Itali

· 1 min lexim

Një distancë prej vetëm një metri i kushtoi jetën Adela Xhaferrit, një 27-vjeçare shqiptare, natën e së premtes më 6 dhjetor në Brescia, Itali.

Adela sapo kishte përfunduar turnin e saj të punës në pastiçerinë Dolce Notte, kur u takua me të dashurin e saj, i cili po e shoqëronte për në shtëpinë e tij në Rovato.

Në zonën e Travagliato, makina e tyre rrëshqiti dhe përfundoi duke u përmbysur. Për fat të mirë, asnjëri prej të rinjve nuk pësoi lëndime nga përmbysja.

Tragjedia ndodhi kur Adela doli nga makina për të kërkuar ndihmë. Një automjet që po kalonte e përplasi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ambulanca mbërriti shpejt, por nuk mundi të bënte asgjë për të shpëtuar 27-vjeçaren.

Policia italiane po heton dinamikën e aksidentit, ndërsa analizat konfirmuan se as i dashuri i Adeles dhe as shoferi i automjetit që e përplasi nuk kishin konsumuar alkool.