25-vjeçarja humbi jetën në kanionin e Holtës, drejtori i Zjarrfikëses: Vëllai nuk dilte pa të motrën

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në kanionin e Holtës në Gramsh. Një 25-vjeçare humbi jetën, pasi e mori rrjedha e lumit.

Desantila Sollaku ishte nisur me autobus nga Lushnja bashkë me familjen e saj për të kaluar një pasdite në bukuritë e kanioneve të Holtës, por gjithçka përfundoi në tragjedi.

Ditën e sotme, kreu i Zjarrfikëses në Gramsh, Ilir Llapushi në një deklaratë për mediat ka rrëfyer të gjithë kronologjinë e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën 25-vjeçarja.

Ai rrëfeu edhe momentet e vështira, kur vëllai i 25-vjeçares nuk pranonte të dilte nga uji pa gjetur të motrën. Me shumë vështirësi e kishin bindur për të dalë nga uji, pasi edhe ai vetë rrezikonte të mbytej.

Kanioni i Holtës është bërë shumë herë i rrezikshëm për turistët kur lumi ka pasur edhe prurje të shumta për shkak të shirave të rëna sitave të fundit.

Llapushi është shprehur se do të lënë edhe një njeri posaçërisht për të mos lejuar turistët që të futen në brendësi të kanionit, pasi jo më larg se dje humbi jetën një vajzë e re e disa të tjerë rrezikuan jetën seriozisht.

Një grup turistësh kishin hyrë në ujë, e bashkë me ta edhe 25-vjeçarja nga Lushnja e cila humbi jetën tragjikisht.

Rrjedha e ujit mori edhe dy të rritur e katër fëmijë, por për fat të mirë ata u shpëtuan në kohë. Trupi i 25-vjeçares nga Lushnja u gjet 500 metra larg vendit ku e kishte marrë rrjedha e ujit.

“Dje ishim pushim. Ne u njoftuam nga policia që në kanion po mbyteshin disa turistë si pasojë e shirave që ranë në male duke rritur nivelin e ujit. Arritëm këtu me të gjitha forcat dhe u futëm menjëherë duke çarë dallgët e lumit.

Duke u kacavirur gjejmë tre fëmijë dhe një të rritur, i marrim në shpatulla dhe i nxjerrim jashtë rrezikut. Rifutemi përsëri, por kanioni bëhej më i vështirë.

Kur erdhëm ne vajza sipas parashikimeve tona ishte mbytur, por ne shpresonim të ishte gjallë. Me shumë vështirësi çamë dallgët dhe arritëm në fund, aty ky rryma godet më shumë, pasi 25-vjeçarja dhe i vëllai kishin shkuar deri në fund të kanionit.

Vëllai kërkonte motrën, u munduam ta qetësonim, por nuk pranonte që të dilte”, deklaroi kreu i Zjarrfikëses në Gramsh, Ilir Llapushi.

25-vjeçarja Desantila Sollaku pas disa ditësh kishte planifikuar edhe ikjen e saj drejt shtetit gjerman, për të punuar si infermiere. Ajo kishte mbaruar studimet për fizioterapi, e ndërsa motra e saj binjake punonte prej pak kohësh në Gjermani.

Shpërndaje
Share.

Komento