20 mln euro të tjera për “Tigrat” e Vlorës, KESH hap tender për mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese

TEC-et lundruese të marra me qira në Vlorë dhe të vendosura në zonën e Triportit vijojnë të rëndojnë financat publike, ndërsa prodhimi i energjisë nga ky investim mbetet minimal ose inekzistent. Pavarësisht kostove të larta të akumuluara ndër vite, shpenzimet për mbajtjen e tyre në funksion vazhdojnë të shtohen.
Shteti shqiptar paguan qindra mijëra euro çdo muaj për qiranë e këtyre impianteve, ndërsa faturës i shtohen edhe kostot për karburantin, sigurimin, pagat e punonjësve dhe mirëmbajtjen.
Ndërsa për këtë projekt vazhdojnë të ngrihen pikëpyetje mbi efektivitetin dhe koston reale për buxhetin e shtetit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka hapur një tjetër procedurë me vlerë të lartë financiare, këtë herë për operimin dhe mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese.
KESH, i drejtuar aktualisht nga Viola Haxhiademi, ka shpallur tenderin me objekt “Operim dhe mirëmbajtje e asetit gjenerues termik, Vlorë”, me një fond limit prej 1.892.000.000 lekësh, ose rreth 20.2 milionë euro.
Sipas dokumenteve të procedurës, bëhet fjalë për një tender të hapur mbi kufirin e lartë monetar, ku e gjithë shuma është parashikuar vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e impiantit.
Kjo do të thotë se, për një aset që deri më tani nuk ka prodhuar energji në nivele domethënëse, do të angazhohen edhe 20 milionë euro të tjera nga fondet publike vetëm për ta mbajtur funksional.
Sipas kontratës së qirasë, KESH vijon të paguajë çdo muaj qindra mijëra euro për TEC-et lundruese, duke e rritur më tej faturën e një projekti që prej kohësh është kthyer në simbol të kostove të larta për buxhetin e shtetit dhe që vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi përfitimet reale për qytetarët.