Ditën e hënë Presidenti i vendit Bajram Begaj shpalli zyrtarisht 14 majin si datën kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh sot se kjo do të jetë data që do të marrë fund regjimi monist i Edi Ramës në Shqipëri.
Ëprmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta deklaroi se Partia e Lirisë do të bëjë të mundur rikthimin e pluralizmit në pushtetin vendor, përfshirë këshillat bashkiakë dhe do të jetë zëri i qytetarëve në kërkimin e llogaridhënies.
Postimi i plotë:
14 Maji do të jetë dita e dërrmimit të regjimit monist në Shqipëri. 4 vitet e pushtetit vendor monist dhe të paligjshëm si as në vendin më prapambetur të Afrikës do të marrin fund përgjithmonë. Partia e Lirisë do garantojë jo vetëm rikthimin e pluralizmit në këshillat bashkiakë, por do të jetë fuqia kryesore e zërit të qytetarëve që do zbatojë Llogaridhënien pa asnjë kompromis me interesin publik dhe qytetar. Të shtunën në Konventën Kombëtare zgjedhim ekipin drejtues që do të udhëheq Partinë e Lirisë drejt Fitores të padiskutueshme. Do të jetë së pari triumfi i lirisë të qytetarëve të nëpërkëmbur, të vjedhur, të intimiduar dhe të padëgjuar në këto 4 vitet e pushtetit absolut monist të Rilindjes.