11 mijë euro qira te kulla e Bashkim Ulajt, KLGJ bllokon planin e Dvoranit: Apeli do të çonte zyrat dhe dosjet te biznesmeni me dhjetëra çështje që presin gjykim

Gjykata Administrative e Apelit nuk kishte zgjedhur një ndërtesë të zakonshme për të sistemuar 25 ndihmësit ligjorë dhe një pjesë të dosjeve në pritje të gjykimit.
Kontrata prej 10,848 eurosh në muaj ishte lidhur me kompaninë Gener 2 për ambiente në “Aba Center”, kullën e lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, kompanitë dhe interesat e të cilit mund të jenë palë në procese që përfundojnë pikërisht përpara gjykatave administrative.
Kjo e bën edhe më të rëndë vendimin e drejtimit të Gjykatës Administrative të Apelit, me kërkesën e firmosur nga zëvendëskryetari Ardian Dvorani. Përtej kostos prej rreth 11 mijë eurosh në muaj, mbetet pyetja se përse një gjykatë që mund të thirret për të shqyrtuar çështje që prekin interesat e një biznesmeni zgjodhi pikërisht pronën e kompanisë së tij për të vendosur zyrat, punonjësit dhe dosjet gjyqësore?
Edhe nëse kontrata është lidhur përmes një procedure formalisht të rregullt, kjo zgjedhje krijon të paktën pamjen e një konflikti interesi dhe lë hapësirë për interpretime e hije të forta dyshimi mbi pavarësinë e institucionit. Një gjykatë nuk duhet vetëm të jetë e paanshme, por duhet të shmangë çdo marrëdhënie që mund të krijojë dyshime të arsyeshme te publiku për paanshmërinë e saj.
Pikërisht këtë shqetësim ngriti edhe anëtarja e KLGJ-së, Gentiana Muçaj, e cila paralajmëroi se kontrata mund t’i vendoste gjyqtarët në kushtet e konfliktit të interesit. KLGJ votoi kundër financimit, duke bllokuar që Gjykata Administrative e Apelit të vijonte të paguante afro 11 mijë euro në muaj për zyra në kullën e Bashkim Ulajt.